Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka treguar arsyet se pse subjekti që e drejton nuk do të bëjë koalicione me partitë politike nëse do të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Në emisionin DPT Fidani në Klan Kosova, ai ka theksuar se PSD-ja nuk ka kauzë të përbashkët me parititë e opozitës që janë tani në Kuvendin e Kosovës.
Derisa e ka përmendur një frazë të ish-kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, i cili kishte thënë se do të mposhtë LVV-në më duar në xhepa. Sipas tij, partitë politike tjera pos VV-së tani janë duke luajtur në kuptimin e garës, tashmë me duar në xhepa prej pozicionit të opozitës.
“Nuk kam probleme të karakterit moralitik, nuk kemi kauzë të përbashkët. Mendoj se shumicën e qytetarëve me i pyet se a ka pasë kauza PSD-ja, thonë po. Nëse i pyet se cilat janë, do t’i përmendin dy apo tri, do të të tregojnë për dy a tri, dikush do ta mbajë në mend një që PSD-ja është marrë me këtë punë”.
“Nëse i pyet edhe votuesit e LDK-së ose PDK-së me cilën temë është marrë njëra prej partive ata nuk do të dijnë të tregojnë se këtë ia kanë nisë në dy apo tri vjet, nuk ka asgjë që ngjizë. Dallimi është se këta janë duke luajtur në kuptimin e garës tashmë me duar në xhepa prej pozicionit të opozitës”.
E dimë që një herë Isa Mustafa pati thënë sa ishte kryetar i Prishtinës se do t’i mposhtë Lëvizjen Vetëvendosje me duar në xhepa, dhe atij i mbetën duart në xhepa. Frika ime e thellë është që opozita do ta korrë një rezultat që e mbjellë për këto tre vite e gjysmë gati katër, nuk më vjen mirë. Unë kam mospajtime të ndryshme me opozitën, por pushteti është i rrezikshëm”, ka thënë Molliqaj.
Më tej, ai ka thënë se liderët e partive opozitare në fillim të Qeverisë Kurti nuk është se i kanë kundërshtuar veprimet e ekzekutivit, sipas tij, ata qëndrime të ndryshime ndaj qeverisë.
“Populli e ka një shprehje se është gjëja me e saktë me thonë se opozitës i ka humbur rruga në oborr”, ka thënë Molliqaj. /Klankosova.tv