Zërin “e ngjirur” të Kurtit me të cilin tashmë po udhëheq fushatën, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, e quajti “zë të ushtruar” teksa kritikoi opozitën për injorimin që po i bën, gjë që e quajti “përgjigje të gabuar liberale”.
“Jo, zërit të ngjirur, për të cilin ju garantoj se është i ushtruar, duhet t’i përgjigjemi me një zë që jehon e kumbon sepse është autentik e i vërtetë”, tha Molliqaj.
Postimi i plotë:
Popullizmi duhet ballafaquar, autokracia duhet luftuar
Kurti hakërrehet me zë të ngjirur, i jep gurmazit saç mundet, krejt kjo sepse ai kërkon t’i pushtojë shpirtrat. Opozita përgjigjet me korrektësinë e kulturës mondane. E injoron në atë stilin “veç kulturën tënde po e tregon”.
Ky është problemi me përgjigjen e gabuar liberale gjithandej. Korrektësia, që shpesh i ngjan policisë gjuhësore, çfarë bën? E denoncon apelin drejtuar ndjenjave. Pra, unë nuk merrem me atë që flet kështu, e injoroj dhe e përçmoj këtë gjuhë. Jo, zërit të ngjirur, për të cilin ju garantoj se është i ushtruar, duhet t’i përgjigjemi me një zë që jehon e kumbon sepse është autentik e i vërtetë.
Popullizmi shfrytëzon ndjenjat e njerëzve, por nuk bashkëndjen me ta. Teksa i thërret ndjenjave, nuk t’jep mundësi çlirimi. Ai ta artikulon gjendjen, por pa shkaqe e strukturë. T’thotë se nuk jemi të varfër, por të vjedhur. Teksa bën lidhje të shkurtra, ai ta përdorë mllefin që sublimohet në autoritet për liderin. Në vend se t’i fuqizojë subjektet e tij, ai i dorëzon ata te lideri.
Politika e vërtetë don zemër dhe guxim, siç kërkon dije e thellim. Sepse nuk gënjejmë, nuk skuqemi as nuk frikësohemi.