Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka shpërndarë një video në rrjetet sociale ku ka përmendur disa çështje, e që sipas tij kryeministri Albin Kurti është duke bërë hapa të rrezikshëm në procesin e dialogut.
Molliqaj tha se Kurti i la anash premtimet e tij para se të vinte ne pushtet dhe tani po e rrezikon dialogun.
“Qeveria Kurti po e rrezikon seriozisht Kosovën. Kishte premtuar kushte dhe kërkesa ndaj Serbisë, kishte premtuar që pa u zbardhur fati i të pagjeturve nuk do të negocionte me Vuçiqin, e shumë e shumë çështje të tjera. Në vend të këtyre ai zgjodhi projekte të rrezikshme siç është ai i autonomisë së serbëve në Kosovë, siç është ai i vazhdimit të status-quo-së në Kosovë. Jemi në prag të një procesi të dialogut i cili rrezikon Kosovën në disa drejtime. Së pari, duke mos e zgjidhur problemin përfundimtar me Serbinë, së dyti duke krijuar autonomi brenda Kosovës për serbët e Kosovës dhe së treti duke e pamundësuar të ardhmen e përbashkët rajonale.”, ka thënë Molliqaj.
Kryetari i PSD-së po ashtu, pati disa fjalë edhe për opozitën.
“Një kryeministër që dialogon e merret vesh fshehurazi, një kryeministër i cili shantazhon e kërcënon opozitën, nuk meriton në asnjë rrethanë dhe për asnjë kusht t’i shkohet në takim. Çdo parti opozitare që bëhet pjesë e takimeve të Kurtit po bëhet pjesë e pazareve të Kurtit.”, shtoi ish- deputeti i LVV-së.
Molliqaj shtoi se Kosova dhe Serbia duhet të kenë marrëveshje përfundimtare e cila ka njohjen të ndërsjellë në mes dy shteteve.