Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka shprehur bindjen se situata në veri të Kosovës tani ka një nivel kontrolli që nuk ka ekzistuar më parë, por ka theksuar se nuk ka sovranitet.
Ai gjithashtu ka theksuar se që nga çlirimi, serbët në veri të Kosovës kurrë nuk kanë qenë më larg nga institucionet e vendit.
“Kurrë serbët ma larg me institucionet e Kosovës nuk kanë qenë”, ka shtuar ai.
Ai ka theksuar se Qeveria ka aplikuar ligjin dhe rendin në veri, duke larguar kriminelët dhe zvogëluar korrupsionin në masën e mundshme.
Megjithatë, ai ka theksuar se këto veprime në terren kanë sjellë propozimet e aleatëve në dialog, të cilat sugjerojnë themelimin e Asociacionit në veri.
Molliqaj ka vlerësuar se kjo tregon se problemi në veri është më shumë një çështje politike sesa një çështje e zbatimit të ligjit në terren.
Ai ka theksuar se veprimet e Qeverisë në veri mund të kenë qenë për arsye elektorale ose strategjike të dialogut.
Sipas tij, rezultati përfundimtar i këtyre veprimeve mund të jetë katastrofal për vendin.
“Qeveria e ka zbatuar rendin dhe ligjin në veri… Meqenëse paska qenë problem i ligjit dhe tash ligji po zbatohet atje dhe kriminelët janë larguar, dhe korrupsioni është zvogëluar si është e mundshme që QUINT-i po propozon autonomi për atë pjesë të vendit. Nëse po thoni se ky është problemi si është e mundshme që aleatët tanë në dialog me Kurtin po thonë se duhet t’i japësh autonomi veriut dhe jo vetëm”, ka deklaruar ai në “Debat Plus”.
Ai gjithashtu ka theksuar se drafti i Asociacionit është një pasojë e këtyre zhvillimeve, duke e quajtur një pranim të autonomisë për këtë zonë.
“Për bindjen tonë kjo tregon se problemi i veriut është veç politik, veprimet në terren qofshin ato vetëm për arsye elektorale apo edhe strategjike të dialogut, rezultati përfundimtar është katastrofal. Rezultati i krejt veprimeve në veri është drafti i BE-së për Asociacionin”, ka deklaruar Molliqaj.
“Për mua, Kurti e ka bërë Asociacionin, sepse e ka pranuar”, ka shtuar ai.