Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në kryeqytetin e Moldavisë, Kishinau, më 21 maj, në shenjë mbështetje për lidhje më të ngushta me Bashkimin Evropian (BE), ndërkohë që qeveria pro-evropiane e vendit vazhdon të luftojë rrymat politike nga Rusia.
Policia vlerësoi se janë mbledhur rreth 75 mijë njerëz, shkruan redaksia e Radios Evropa e Lirë në gjuhën angleze.
Tubimi, në të cilin është paraqitur edhe presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, është organizuar pak ditë para takimit të komunitetit politik evropian.
Takimi do të mbahet më 1 qershor dhe pritet që presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, të marrë premtimin se vendi i saj, së shpejti, do të nisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Samiti do të jetë takimi i parë i grupit prej 44 anëtarësh, i cili synon të përmirësojë bashkëpunimin midis BE-së dhe vendeve jo anëtare të BE-së, përfshirë vendet kandidate në Ballkanin Perëndimor dhe rajonin e Kaukazit.
Moldavia, së bashku me Ukrainën, u ftuan në hapjen e negociatave me BE-në për anëtarësim, në qershor të vitit të kaluar, disa muaj pasi Rusia filloi pushtimin e saj në Ukrainë.
Si një nga vendet më të varfra në Evropë, ajo ka pranuar qindra mijëra refugjatë ukrainas, bashkë me shqetësimet në rritje për përhapjen e mundshme të luftës.
Sandu, ish-zyrtare e Bankës Botërore, e shkolluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, erdhi në pushtet në nëntortë vitit 2020, përmes listës pro-reformiste.
Ajo zëvendësoi Igor Dodon, presidentin socialist të mbështetur nga Moska, mandati i të cilit u trondit nga kriza ekonomike dhe skandalet e korrupsionit.
Përpjekja e Sandu për lidhje më të ngushta me BE-në ka shqetësuar Moskën, e cila vazhdon të mbështesë hapur disa figura politike të Moldavisë.
Moldavia, në periudha të ndryshme të historisë së saj, ishte pjesë e Perandorisë Ruse dhe Bashkimit Sovjetik, si dhe “Rumanisë së Madhe”. Në muajin mars, parlamenti i vendit shpalli rumanishten gjuhë zyrtare, megjithëse rusishtja përdoret ende gjerësisht.
Në Kuvendin e madh popullor ishin të pranishëm shumë njerëz, në sheshin me të njëjtin emër në kryeqytetin Kishinau, duke përfshirë edhe në shpalljen e pavarësisë nga sundimi sovjetik, në vitin 1991.
Moldavia, ashtu si Ukraina, ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në Bashkimin Evropian, një proces që zakonisht zgjat me vite. Megjithatë, kushtetuta e saj vendos një politikë neutraliteti që përjashton anëtarësimin në NATO.
Vendi është ende i rënduar nga prania e rajonit separatist pro-rus të Transnistrisë, 30 vjet pas luftës së shkurtë, në të cilën ky rajon iu kundërvu ushtrisë moldave./REL/