Modelja e njohur, Paulina Porizkova, ka ndarë një mesazh të fuqishëm për vetëpranimin dhe realitetin e trupit të femrës në moshë të mesme, duke postuar dy imazhe të ndryshme të vetes në “Instagram”, ku nuk ka përdorur asnjë filtër apo redaktim.
Në një publikim të bërë të hënën, më 28 korrik, Porizkova, e cila ka mbushur 60 vjeç, ndau dy foto që e tregojnë në situata dhe ndriçime të ndryshme, me qëllim që të theksojë ndikimin që kanë drita, pozimi dhe momenti në mënyrën si perceptohet trupi ynë.
“Kjo jam unë. Pushime, dritë e bukur, duke pozuar për foton”, shkroi ajo për foton e parë, ku shfaqet me bikini të bardha ndërsa fotoja e dytë ishte më spontane, e shkrepur para një pasqyre në banjë, ku ajo shfaqet me të brendshme ngjyrë bezhë, pa ndonjë përgatitje apo pozë të veçantë.
“Edhe kjo jam unë. Në shtëpi, dritë të keqe, pa pozë”, shtoi ajo.
Porizkova, e cila ka folur hapur edhe më parë për plakjen dhe presionin që ndjejnë gratë për të ruajtur një pamje “të përjetshme të re”, u përshëndet nga ndjekësit për transparencën dhe guximin për të treguar të vërtetën pa filtra.
Porizkova vazhdon të jetë një zë i fuqishëm për vetëbesimin dhe normalizimin e trupit femëror në çdo moshë, duke sfiduar pritshmëritë që industria e modës dhe mediat shpesh vendosin mbi gratë.