Ish-diplomati Blerim Canaj ka përmendur disa arsye që kanë mundur ta shtyjnë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani të ketë një reagim të ashpër ndaj kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca lidhur me arsyetimin për mos koordinimin me Osmanin lidhur me letrën që ka dërguar ministrja e Jashtme Donika Gërvalla në Asamblenë e Këshillit të Evropës.
Canaj ka thënë se reagimi i presidentes ka të bëjë me frikë personale për të ardhmen e saj politike.
Ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë 1, ka thënë se takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me kreun e PDK-së, Memli Krasniqi ka qenë një ndër arsyet e reagimit të Osmanit.
“Ka të bëjë me mllefin e karrierës personale. Osmani tani ka edhe frikën e vet. Po e shohim që Lista Guxo nga e cila vjen presidentja është inekzistetne. Shohim një afrim të Donika Gërvallës me Vetëvendosjen. Takimi i Kurti me PDK-në si duket se ka marrë përzemër, Vjosa Osmani për shkak se mund të ketë shkaktuar një lloj frike”, ka thënë Canaj.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka quajtur qesharake deklarimin e kryeparlamentarit Glauk Konjufca, i cili ka thënë se mosinformimi i Presidencës për letrën që ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla e kishte dërguar në Këshillin e Evropës, kishte ndodhur paqëllimshëm “për shkak të largësisë”.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e ka vlerësuar si të paqëllimshëm, moskordinimin e Qeverisë me presidenten Vjosa Osmani, për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Ai ka theksuar se përplasja ka ardhur për shkak se e para e shtetit ka qenë jashtë vendit dhe qeveria, përkatësisht MPJD-ja, nuk kanë arritur ta informojnë Osmanin me kohë.