Rritja e madhe e çmimeve të konsumit në Kosovë i ka lënë qytetarët pa zgjidhje efektive për ta kaluar krizën.
Tashmë, pak gjasa ka që atyre t’u mundësohet edhe një tërheqje deri në 30% nga kursimet e tyre në Trust, shkruan lajmi.net.
Këtë ua pamundësoi vota kundër e deputetëve të Vetëvendosjes në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere. Rrjedhimisht, Projektligji i propozuar nga opozita do të shkojë në Kuvend, mirëpo pa rekomandimin e Komisionit.
Duke parë situatën në terren, kundërshtimin e fuqishëm të Vetëvendosjes për aprovimin e kësaj ideje si dhe luhatjen në qëndrime të deputetëve të pakicave që janë të afërt me pushtetin e Kurtit (rasti i Duda Baljes), ka pak gjasa që ky projektligj të marrë aprovimin në Kuvendin e Kosovës.
E ndër arsyetimet kryesore të pushtetit për refuzimin e kësaj nisme janë ato që ata i quajnë masa të ndërmarra për zbutjen e krizës dhe daljes në ndihmë qytetarëve për të përballuar rritjen e çmimeve. Dy argumentet kryesore të Vetëvendosjes në këtë dritë janë nisma për rritjen e pagës minimale dhe ndihma prej 100 eurosh për punëtorët e sektorit publik, ata privat si dhe për studentët.
Kjo e fundit nuk është realizuar, ani pse procesi ka nisur që më shumë se një muaj. E njëjta temë, ndonëse është pritur dhe po përcillet me një interes të madh nga qytetarët, ende nuk është finalizuar.
Madje, nuk dihet saktë as kur qytetarët do t’i marrin 100 eurot e shumëpremtuara, pasi që ministri i Financave, Hekuran Murati, e la “në mjegull” këtë çështje të hënën kur doli para mediave.
“Komisioni siç e dini është formuar, afati i aplikimit ka qenë deri në javën e kaluar. Ka krijuar më shumë telashe sesa që ka zgjidhur probleme me pasë fillu me i trajtu një nga një, është dashur të pritet të mbyllet afati, që komisioni me fillu punën. Po besoj që shumë shpejt do ta kryejë punën”, ka thënë Murati të hënën në konferencë.
E ndonëse për Muratin kjo punë nuk duket të jetë urgjencë, e tillë është për mbi 300 mijë punëtorë që kanë aplikuar për të marrë këtë shtesë nga Qeveria e Kosovës.
Siç edhe e ka cekur ministri, një Komision i formuar po i shqyrton aplikimet, por nuk dihet ende se ku ka arritur procesi.