Disa fshatra të qytetit të Mitrovicës janë përfshirë nga zjarret që nga pasdita e sotme.
Fshatrat Kçiq, Zasellë e Cernushë janë kërcënuar seriozisht nga zjarret e mëdha të cilat kanë zgjeruar perimetrin e tyre në 2 orët e fundit.
Sipas informacioneve që posedon lajmi.net, disa shtëpi në fshatin Zasellë, një restorant, e antenat në fshatin Cernushë janë në rrezik të madh që të përfshihen nga flakët.
Raportimet e fundit thonë se zjarri është rikthyer sërish në fshatin Kçiq dhe atë shumë pranë shtëpive.
Aktualisht, me trajtimin e zjarreve po merren Zjarrfikësit e Mitrovicës, Forca e Sigurisë së Kosovës dhe KFOR-i, por ende nuk ka raportime se niveli qëndror ka dërguar ndihmë atje.
Gjatë ditës, lajmi.net ka sjellur pamje ku shihet edhe KFOR-i që me helikopter tenton shuarjen e vatrave të zjarrit të cilat tashmë veçse janë zgjeruar.
Mbetet të shihet nëse shuarja e zjarreve do të jetë e mundur gjatë orëve të natës kur temperaturat janë më të ulëta, por duke pasur parasysh së bëhet fjalë për një pjesë të lartë të qytetit, erërat e forta po u shkaktojnë probleme autoriteteve përgjegjëse.