Avokati Luka Mishetiq tha se për klientin e tij, Hashim Thaçin, nuk ka pasur prova që e lidhin atë me komunikatat apo deklaratat publike të UÇK-së.
Megjithatë, ai tha se janë dy prova që e bëjnë një gjë të tillë e që njëra është një deklaratë e Rexhep Selimit për Prokurorinë lidhur me komunikatën 59, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“ZPS-ja arrin të citojë vetëm dy prova për të mbështetur pretendimin e tyre se Hashim Thaçi ka pasur rol në përgatitjen e komunikatave. E para; është një intervistë që ka dhënë Rexhep Selimi për ZPS-në ku ai pretendon se Hashim Thaçi ka pasur njëfarë lidhje me komunikatën 59. Pretendimet e Selimit nuk mund të merren parasysh për shumë arsye”, tha Mishetiq.
Madje, Mishetiq tha se për Prokurorinë, Selimi ka thënë që nuk ka pasur dijeni se kush i hartonte komunikatat e UÇK-së.
“Thjesht ka hamendësuar. Dhe mbi të gjitha pretendimet e tij për komunikatën 59 janë të pakonfirmuara dhe Thaçi nuk ka pasur asnjë mundësi që të kontestojë dëshminë e zotit Selimi kur janë bërë kundërpyetjet në lidhje me këtë”, tha ai.
Rrjedhimisht, Mishetiq tha se sipas rregullave, trupi gjykues nuk duhet ta përdorë këtë provë kundër Thaçit.
Në dosjen e tij përfundimtare, Selimi sipas Mishetiqit, ka pranuar se nuk ka pasur dijeni se kush i ka hartuar komunikatat dhe thjesht ka spekuluar në intervistën për ZPS-në.
Ndërsa, prova e dytë, sipas Mishetiq, që lidhet me këtë pjesë është një pjesë e librit të shkruar nga Nuhi Bytyqi.






