Aktiviteti i pesë institucioneve paralele serbe në veri të Mitrovicës është shuar, pas një aksioni të zhvilluar nga Policia e Kosovës të premten. Sipas policisë, në objektet e këtyre institucioneve janë zhvilluar aktivitete ilegale, derisa në të njëjtat u sekuestruan dokumente, fishekë, thika dhe një xhaketë e ushtrisë. Aksioni u mirëprit nga njohës të sigurisë, ndonëse të njëjtit kërkuan që ekzekutivi të koordinohet me aleatët ndërkombëtarë për veprime të tilla.
Pesë institucioneve paralele serbe në Mitrovicë të veriut të premten i është vënë dryni, pas një aksioni të Policisë së Kosovës.
Nga këto institucione të cilat nga ekzekutivi u tha se kanë funksionuar nën udhëheqjen e Serbisë, u sekuestruan dokumente, pajisje teknologjike, fishekë, thika, një xhaketë e ushtrisë e gjësende tjera.
E brenda këtyre objekteve u panë mbishkrime ‘Zyra për Kosovë dhe Metohi’, e u gjetën edhe foto të presidentit rus, Vladimir Putin.
Nga Policia e Kosovës thanë se aksioni u realizua me kërkesë të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për ndërprerjen e aktiviteteve ilegale dhe mbylljen e pesë objekteve të komunave ilegale në veri të Kosovës.
Njohës të sigurisë këtë aksion e shohin si të drejtë, derisa nuk presion tensionim të situatës.
“Veprimin si veprim të organeve të sigurisë publike e shoh si të drejtë sepse ashtu vepron një shtet demokratik, as më shumë dhe as më pak. Nuk shoh që mund të ketë tensione nga qytetarët pa marrë parasysh fenë, etninë ose racën sepse nuk ka kush, pasi janë integruar njerëzit”, tha Arben Dashevci, njohës i sigurisë.
Për shkak të situatës së brishtë në veri, njohësi i sigurisë, Fadil Kajtazi thotë se qeveria duhet që veprimet e tilla t’i ndërmarrë në koordinim me ndërkombëtarët.
“Nuk është duke i përfillë këto këshilla dhe është shqetësues fakti se si reagoi bashkësia ndërkombëtare ndaj këtyre veprimeve të qeverisë së Kosovës. Askush nuk e diskuton legjitimitetin e veprimeve të Qeverisë së Kosovës. Deklarata e presidentit kroat thënë presidentes tonë para një muaji kur tha se Kosova praktikisht ka mbetur vetëm. Dhe të jesh vetëm në marrëdhënie ndërkombëtare dhe të jesh shtet i vogël siç është Kosova është shumë shqetësuese”, tha ai.
Shuarja e institucioneve paralele ishte paraparë edhe në marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në vitin 2013.
Gjatë këtij viti janë mbyllur edhe disa institucione te tjera paralele në Pejë, Dragash e komuna te tjera.