Home Ballina Miratohet Rezoluta për dënimin e sulmit terrorist në veri

Miratohet Rezoluta për dënimin e sulmit terrorist në veri

0
Miratohet Rezoluta për dënimin e sulmit terrorist në veri

Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën që do ta dënojë sulmin terrorist të grupit të armatosur serb, që më 24 shtator në Banjskë, sulmoi Policinë e Kosovës, e si pasojë u vra rreshteri, Afrim Bunjaku.

Këtë rezolutë e votuan të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që ishin në sallë, derisa para votimit kryeministri Albin Kurti dhe shefat e Grupeve Parlamentare mbajtën fjalime.

Kurti tha se për këtë akt të agresionit ndaj Kosovës, Serbia duhet të sanksionohet e ndëshkohet ndërkombëtarisht. Nëse kalon e pandëshkuar atëherë sipas tij, ajo do ta përsërisë krimin.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku theksoi se Qeveria do ta ketë përkrahjen e partisë së tij që këtë situatë sipas tij,  ta përkthejë në avancim të pozicionit tonë në ndërkombëtarë.

Në anën tjetër edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, deklaroi se PDK-ja do të përkrahë Rezolutën e përbashkët të deputetëve për të dënuar sulmin terrorist që ndodhi në Banjskë të Zveçanit të dielën.

Ai tha se mposhtja e këtij grupi, nuk i jep përfundim qëllimeve dhe synimeve të Serbisë karshi Kosovës.

Kurse kreu i AAK-së Ramush Haradinaj, tha se me përfshirjen e ndërkombëtarëve në këtë çështje, do jetë më i lehtë ndëshkimi i sponsorëve të terrorizmit dhe të vetë terroristëve. Andaj, aprovimin e kësaj rezolute nga Kuvendi i Kosovës, Haradinaj e cilësoi si vendim të drejtë.

Ndryshe, Policia e Kosovës është sulmuar me arsenal armësh, përfshirë këtu granata dore dhe zollë, në Banjskë të Zveçanit, ku si pasojë e gjuajtjeve është vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe një tjetër pjesëtar i Policisë së Kosovës është plagosur.

Teksa gjatë ditës së djeshme presidentja, Vjosa Osmani ka zhvilluar takime me krerët e partive opozitare. Ajo i ka falënderuar përfaqësuesit opozitarë në Kosovë për siç thuhet, përkrahjen ndaj institucioneve të sigurisë në këtë fazë të ballafaqimit më agjendën destabilizuese të Serbisë kundër Kosovës.

Exit mobile version