22.1 C
New York
Friday, October 3, 2025

Buy now

Miratohen tarifat për Tunelin e Llogorasë, kush do të paguajë e kush përjashtohet

- Advertisement -
Kanë hyrë zyrtarisht në fuqi tarifat që do të zbatohen për përdorimin e Tunelit të Llogorasë, duke finalizuar procesin për fillimin e pagesave nga përdoruesit e rrugës.

Vendimi është formalizuar përmes një Udhëzimi të Përbashkët të nënshkruar nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, dhe ministri i Financave, Petrit Malaj, raporton RTSH.

Udhëzimi, i cili ka hyrë në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare, detajon tarifat e ndara në pesë kategori të ndryshme automjetesh, me çmime që variojnë nga 100 lekë deri në 5 mijë lekë. Të gjitha tarifat e përcaktuara përfshijnë edhe TVSH-në.

Skema e pagesës është e diferencuar sipas llojit dhe madhësisë së automjetit:

100 lekë: Për motoçikleta dhe mjete të ngjashme me dy rrota.

250 lekë: Për makinat e pasagjerëve dhe automjetet e lehta të shpërndarjes (dy boshte, lartësi deri në 1.3 metra).

500 lekë: Për makinat e pasagjerëve me rimorkio ose karavan (më shumë se dy boshte, lartësi deri në 1.3 metra).

1.000 lekë: Për furgonë, minibusë dhe automjete të mesme (dy ose më shumë boshte, lartësi mbi 1.3 metra).

5.000 lekë: Për automjetet e rënda me tri ose më shumë boshte, si autobusë dhe kamionë me shumë rimorkio (lartësi mbi 1.3 metra).

Tarifat me parapagim për përdoruesit e rregullt do të përcaktohen gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi.

Kush përjashtohet nga tarifat

Udhëzimi i ri përcakton gjithashtu një listë automjetesh dhe përdoruesish që përjashtohen plotësisht nga pagesa, kryesisht kur janë në kryerje të detyrës funksionale:

Policia Rrugore, autoambulancat dhe forcat zjarrfikëse.

Mjetet ushtarake dhe ato të NATO-s.

Mjetet e punonjësve të ARRSH-së ose Entit Kombëtar të Operimit Rrugor gjatë detyrave.

Personat që gëzojnë statusin e invalidit, kur automjetet i përdorin për nevoja personale.

Në kuadër të sigurisë, udhëzimi ndalon prerazi përdorimin e Tunelit të Llogorasë nga mjetet që transportojnë mallra të rrezikshme.

Për zbatimin e tarifave dhe operimin e tunelit, janë ngarkuar Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave, Enti Kombëtar i Operimit Rrugor dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar. Ky vendim shënon fillimin zyrtar të kalimit me pagesë në një nga akset më të rëndësishme inxhinierike dhe turistike të vendit.

Të ngjashme

Të fundit