Fillimisht kryetari Agim Ademi falënderoi delegatët për mbështetjen që po i japin zhvillimit të futbollit, si dhe mysafirët e pranishëm për përkrahjen dhe partneritetin me FFK-në.
Ai më pas bëri një shpalosje të gjerë të punës së bërë gjatë vitit 2023, duke filluar nga masovizimi i futbollit në vend, përmirësimi i infrastrukturës, ngritja e cilësisë së garave, si dhe realizimi i projekteve gjithëpërfshirëse në futboll.
Në emër të Ministrisë së Sportit punimet e Kuvendit i përshëndeti Ibër Alaj, i cili premtoi se kjo ministri, së bashku me autoritetet lokale, do t’i qëndrojë afër FFK-së në përmirësimin e infrastrukturës së stadiumeve dhe krijimit të kushteve më të mira për zhvillim të futbollit.
Përfaqësuesi i FIFA-s, Lorenzo Cavallari, përcolli përshëndetjet dhe përgëzimet e presidentit Gianni Infantino dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i emëruar kohët e fundit Mattias Grafstrom.
“Edhe pse Kosova mund të jetë më e reja nga shoqatat anëtare të FIFA-s, ne jemi shumë krenarë për marrëdhëniet e shkëlqyera dhe bashkëpunimin e fortë që kemi në të gjitha nivelet, ndërmjet dy institucioneve tona. Ne e dëshmojmë këtë çdo ditë, qoftë përmes përfshirjes së zyrtarëve të FFK-së në një gamë të gjerë seminaresh dhe kursesh të FIFA-s, pranisë së delegacioneve të FFK-së në ngjarjet zyrtare të FIFA-s (përfshirë së shpejti në kongresin e FIFA-s në maj, ku në harkun kohor të disa ditëve ne do të jemi në gjendje të festojmë si 120 vjetorin e FIFA-s ashtu edhe 8 vjet të anëtarësimit të Kosovës në FIFA dhe UEFA), dhe së fundi, por jo më pak e rëndësishme, bashkëpunimin tonë në kuadrin e programit të zhvillimit kryesor të FIFA-s, FIFA Forward. Ne ishim shumë të kënaqur kur pamë Strategjinë tuaj ‘Themelet e së ardhmes’, ku objektivat tuaja përputheshin me tonat, veçanërisht në drejtim të zhvillimit të infrastrukturës në partneritet me qeverinë. Prandaj, më lejoni që në emër të FIFA-s t’ju përgëzoj për nisjen dhe ju lutem të jeni të sigurt se ne do të jemi këtu pranë jush, së bashku me kolegët nga UEFA, për t’ju mbështetur për zbatimin e kësaj strategjie”, tha ndër të tjera Cavallari.
Përfaqësuesi i UEFA-s, Denis Bastari fillimisht uroi të gjithë të pranishmit për 16-vjetorin e pavarësisë së Kosovës në emrin e tij dhe të presidentit Aleksandër Çeferin, teksa theksoi se FFK që nga pranimi në UEFA e FIFA ka bërë progres të madh.
“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me FFK-në dhe do doja të nënvizoja punën që jemi duke bërë vazhdimisht në infrastrukturë, ku jemi duke investuar në mënyrë konstante në Kampin Nacional në Hajvali dhe në Obiliq, pastaj në selinë e FFK-së, por edhe në shumë fusha me bari artificial dhe natyral në të gjitha rajonet e Kosovës. Jam shumë i lumtur që isha dje në lansimin e strategjisë së re. Uroj që implementimi i saj të shkojë në të njëjtën vijë, sepse do të jetë punë e vështirë, dhe uroj që frytet e kësaj pune të shihen në fund të katër viteve. Jam shumë i lumtur që në Kosovë do të mbani licencën e parë UEFA A të trajnerëve, që vjen pas shumë e shumë viteve bashkëpunimi. Ka qenë një rrugë e vështirë, por ja keni arritur. Uroj që së shpejti të keni edhe Licencën UEFA Pro dhe besoj se do ta keni sepse puna që keni bërë është shumë e mirë. Të gjithë e dimë se keni pasur probleme me fushën në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ por përgëzoj presidentin Ademi që ka ndërmarr hapat e shpejtë, e po ashtu ministrin Çeku, për të përmirësuar infrastrukturën në këtë stadium”, tha Bastari.
Presidenti i FFM-së, Muamed Sejdini theksoi se pa bashkimin e komunitetit të futbollit FFK dhe presidenti Ademi nuk do të mund të kishte një sukses të tillë.
“Vazhdoni punën të bashkuar. Kryetari kërkoj falje pak më parë se e kemi tejkaluar Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut me cilësinë e ligës. Kjo është e vërtetë dhe nuk ka përse të kërkohet falje. Ballkani ka bërë arritje jashtëzakonisht të mëdha. Rriti jo vetëm vetën, por edhe ju. Rriti futbollin kosovar dhe e bëri më cilësor”, tha Sejdiu.
Fjalë miradie për punën e FFK-së pati edhe zv/presidenti i FSHF-së, Lutfi Nuriu.
“Futbolli kosovar ka pasur një progres të vazhdueshëm në të gjitha drejtimet. Arritja më e madhe është përfaqësimi i FC Ballkanit dy vit rreth në Ligën e Konferencës. Përmes mbështetjes së UEFA-s dhe FIFA-s janë përmirësuar infrastruktura dhe kjo dëshmon se FFK është në rrugë të mbarë dhe se futbolli kosovar është në duar të sigurta. FSHF ndihet krenare për partneritetin me FFK-në ndër vite. Ne do të jemi gjithmonë përkrah jush për të zhvilluar futbollin në Kosovë”, ka thënë ndër të tjera Nuriu.
Pas fjalimeve ka vazhduar pjesa e punës e kuvendit, ku është shpalosur raporti i punës dhe ai financiar, e të cilët me vota unanime janë miratuar nga delegatët.
Po ashtu janë miratuar edhe procesverbali i Kuvendit të kaluar, si dhe propozimi i KE të FFK-së për anëtarët e Komisionit Zgjedhor dhe organeve gjyqësore si dhe Kodi Zgjedhor.