Më 25 mars kombëtarja shqiptare e futbollit do të luajë kundër Suedisë në Stockholm ndeshjen e parë miqësore përpara EURO 2024.
Përmes një njoftim zyrtar, Federata Shqiptare e Futbollit ka konfirmuar këtë të martë edhe orën kur do të luhet ky takim.
Miqësorja Suedi-Shqipëri do të luhet më 25 mars në orën 19:00 në stadiumin “Friend Arena” në Stockholm.
“Është konfirmuar tashmë ora e ndeshjes miqësore Suedi – Shqipëri, që do të luhet më 25 mars në transfertën e Stockholm-it. Sipas marrëveshjes mes dy federatave ky takim do të luhet në stadiumin “Friends Arena”, në Stokholm duke nisur nga ora 19:00.
Kjo është ndeshja e gjashtë në histori mes këtyre dy përfaqësueseve, ndër të cilat katër sfida kanë qenë të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror, ndërsa dy të tjerat ndeshje miqësore.
Ndërkaq, Shqipëria do të zhvillojë edhe një tjetër miqësore gjatë muajit mars, teksa në ditët në vijim, Departamenti i Komunikimit në FSHF do të publikojë edhe emrin e kundërshtarit, vendin dhe orën e takimit.
Këto dy ndeshje miqësore janë në kuadër të përgatitjeve të Kombëtares për Europianin “Gjermani 2024”, ku trajneri Sylvinvo do të ketë mundësinë që të testojë lojtarët dhe ekipin kuqezi pas thuajse 4 muajsh nga ndeshja e fundit”-bën me dije FSHF-ja.