Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit njofton qytetarët se nuk ka asnjë krizë në furnizimin me derivate të naftës në Kosovë.
“Bazuar në të dhënat nga subjektet që merren me importin dhe tregtimin e derivateve, stoqet janë në nivel të rregullt dhe në suazat e zakonshme, njësoj si para zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme. Furnizimi në treg është stabil dhe pa ndërprerje”, ka thënë ministrja Mimoza Kusari- Lila.
Për këtë arsye, ajo thotë se nuk ka asnjë arsye për panik apo për krijim të rezervave të panevojshme.
Po ashtu, duke marrë parasysh stabilizimin e çmimeve të derivateve në bursat ndërkombëtare, aktualisht nuk ka bazë për rritje të çmimeve në tregun vendor.
“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit po monitoron në vazhdimësi zbatimin e vendimit për marzhën e fitimit, ndërsa Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut është i angazhuar maksimalisht në terren për të siguruar respektimin e këtij vendimi dhe mbrojtjen e konsumatorëve”, ka thënë Kusari- Lila.
Institucionet do të vazhdojnë ta monitorojnë nga afër tregun për të garantuar stabilitet në furnizim dhe çmime të drejta për qytetarët dhe bizneset.






