8.1 C
New York
Thursday, November 28, 2024

Buy now

Ministrja Hajdari pranon fajësinë për mosdeklarim të pasurisë brenda afatit ligjor

- Advertisement -
Rozeta Hajdari, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, është deklaruar fajtore lidhur me akuzën për mosdeklarim të pasurisë brenda afatit ligjor.

Një deklarim të tillë, Hajdari e ka dhënë të mërkurën, në seancën fillestare, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Bekim Kodraliu.

“Duke e ditur që është një procedurë që duhet të respektohet, unë duhet ta pranoj si faj që është kaluar ky afat dhe e kam dorëzuar në fund të mandatit, unë e pranoj me keqardhje se është kaluar një afat dhe kam marrë një këshillë të gabuar”, deklaroi ministrja Hajdari.

Sipas saj, mungesa e informacionit të plotë rreth shtyrjes së afatit, ka krijuar konfuzion.

“Unë e konsideroj veten që për shkak të mungesës së informacionit të plotë kur janë shtyrë afatet, unë kam konsideruar që e dorëzoj në fund të mandatit, ashtu qysh jam këshillu dhe tash unë e pranoj sepse paska qenë një gabim. Unë sot po e di në seancë që paska qenë një gabim, sepse jam këshilluar që është shty afati dhe ka krijuar konfuzion shtyrja e afatit”, ka thënë tutje Hajdari gjatë deklarimit të saj rreth fajësisë.

E njëjta ka thënë se ky është një gabim për të cilin ajo ndihet keq dhe është një faj që këtë afat e ka lëshuar për shkak të gjendjes me pandeminë dhe për shkak të krizës së bizneseve.

Me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarës Hajdari, është pajtuar prokurori Kodraliu, i cili tha se një pranim i tillë është bërë në përputhje me nenin 248 të Kodit të Procedurës Penale dhe është bërë me vullnet të lirë, pa presion dhe në konsultim të mjaftueshëm me mbrojtësin e saj.

“Si dhe faktit se aktakuza është përpiluar konfirmon dispozitave ligjore dhe e mbështetur në prova të ligjshme të cilat pa mëdyshje e vërtetojnë dyshimin e bazuar mirë se e njëjta ka kryer veprën penale për të cilën ngarkohet sipas kësaj aktakuze”, ka thënë tutje prokurori Kodraliu.

Prokurori Kodraliu dhe mbrojtësi i të akuzuarës Hajdari, avokati Shemdi Bunjaku i propozuan gjykatës që me rastin e shqiptimit të lartësisë së dënimit, pranimi i fajësisë të merret si rrethanë lehtësuese.

Paraprakisht në këtë seancë para leximit të aktakuzës, avokati Bunjaku i ka propozuar gjykatës që kjo çështje penale të referohet në procedurë të ndërmjetësimit, propozim ky i cili u kundërshtua nga prokurori Kodraliu dhe është refuzuar nga gjykatësja e rastit Donikë Shala-Abdyli.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet më 29 dhjetor 2022.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 13 tetor 2022, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Rozeta Hajdari po akuzohet për mosdeklarim të pasurisë brenda afatit ligjor.

Aktakuza thotë se e pandehura Hajdari në cilësinë e zyrtares së lartë publike, si ministre e Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërrmarrësisë dhe Investimeve Strategjike në Qeverinë e Republikës së Kosovës, duke qenë e vetëdijshme për detyrimin e saj ligjor, nuk e ka respektuar nenin 6, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 lidhur me nenin 7 të Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publikë.

Tutje, akti akuzues thotë se edhe pas njoftimit me kohë nga zyrtarja përgjegjëse e ministrisë përkatëse për detyrimin e deklarimit të pasurisë së saj me rastin e marrjes së detyrës si ministre, e zgjedhur sipas vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës të 3 shkurtit 2020, e po ashtu edhe përkundër shtyrjes së afatit nga ana e Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19 deri më 19 qershor 2020, e njëjta deklarimin e pasurisë nuk e ka bërë as brenda këtij afati shtesë ligjor.

Me këtë, Hajdari po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tre vjet./Betimi për Drejtësi

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit