Gjatë vizitës së saj zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, u prit në takim nga Ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheiku Abdullah bin Zayed Al Nahyan, me të cilin diskutoi fillimisht rreth zhvillimeve të fundit në Republikën e Kosovës, progresit por edhe sfidave aktuale me të cilat po ballafaqohen qytetarët e Republikës e më pas duke vazhduar bisedën gjerësisht rreth marrëdhënieve mes dy vendeve dhe mundësive se si të forcohen ato më tutje, njofton MPJD.
U diskutuan aspekte të ndryshme për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit, duke filluar nga ato më evidentet si investimet direkte dhe ekonomia e deri tek mundësitë më praktike që prekin përditshmërinë e qytetarëve në sferën energjisë, edukimit, bujqësisë e sigurisë në ushqim.
Ministrja Gërvalla më tutje theksoi se përkundër sfidave politike dhe shoqërore, qytetarët e Republikës së Kosovës dhe qeveria e tyre janë gjithmonë e më të vendosur për të shënuar vazhdimisht progres në fusha të ndryshme ekonomike dhe shoqërore, të cilat edhe në raportimet ndërkombëtare vjetore po vlerësohen shumë.
Në fund, duke e ftuar të vizitojë Kosovën, ministrja Gërvalla e falenderoi Sheikun Abdullah bin Zayed Al Nahyan përzemërsisht për mikpritjen dhe mbështetjen e vazhdueshme të Emirateve të Bashkuara Arabe për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj.
Ministrja Gërvalla gjatë dy ditëve të ardhshme do të vazhdojë me takime me përfaqësues të ndryshëm të qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe dhe bizneseve të rëndësishme në këtë vend.