Veteranë të shumtë kanë protestuar të enjten para Kuvendit të Kosovës.
Të njëjtit kanë protestuar në kundërshtim të ligjit për pagën minimale, në të cilën nuk janë përfshirë ata.
E pas kësaj, kryeministri Albin Kurti bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Murati dhe anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Financa takuan përfaqësuesit e OVL-UÇK-së, por pavarësisht kësaj nuk arritën të dakordoheshin për asgjë.
E lidhur me deklarimet për fryrje të listave të veteranëve të luftës, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka theksuar se do të ketë verifikim të listave të veteranëve.
“Do të ketë verifikim të listave të veteranëve. Kushdo qoftë që edhe një minut e ka mbajtur uniformën e UÇK-së, meriton përulësi, respekt dhe mbështetje nga shteti por jo edhe ata të cilët nuk kanë qenë në luftë”, tha Haxhiu, transmeton lajmi.net.
Ajo po ashtu deklaroi se ata nëse nuk tërhiqen, duhet të largohen nga lista sepse është dëm i madh i së kaluarës, tashmes dhe të ardhmes.
E ngjashëm pati deklaruar edhe kryeministri Kurti, i cili vazhdimisht ka theksuar se duhet të bëhet verifikimi i listave të veteranëve.