5.2 C
New York
Wednesday, December 24, 2025

Buy now

Ministria shpërfill vendimin e Agjencisë Antikorrupsion, nënshkruan kontratë 7.7 milionë euro pas konstatimit të konfliktit të interesit

- Advertisement -

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka vazhduar me nënshkrimin e një kontrate milionëshe, pavarësisht se Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit kishte konstatuar konflikt të rëndë interesi në procesin e vlerësimit të ofertave dhe kishte kërkuar shprehimisht anulimin e tenderit, shkruan Demokracia.com.

Bëhet fjalë për tenderin “Ndërtimi i Infrastrukturës në Parkun Industrial 2 – Parku i Përgjithshëm në Drenas”, i hapur që në korrik të vitit 2024, për të cilin Agjencia ka zhvilluar një procedurë të plotë administrative dhe ka nxjerrë vendim përfundimtar, duke konstatuar se procesi i prokurimit është zhvilluar në kundërshtim me ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit

Sipas vendimit të Agjencisë, zyrtarja Saxhide Sadiku, në cilësinë e anëtares së Komisionit Vlerësues, ka marrë pjesë në vendimmarrje për këtë tender, ndonëse ka pasur lidhje të drejtpërdrejta familjare dhe profesionale me operatorin ekonomik të shpallur fitues. Agjencia ka konstatuar se bashkëshorti i saj ka qenë i punësuar në kompaninë “Kema Company” SH.P.K., e cila ishte pjesë e konsorciumit të operatorëve ekonomikë të rekomanduar për dhënie të kontratës, çka përbën konflikt të qartë interesi sipas ligjit në fuqi.

Në arsyetimin e saj, Agjencia sqaron se Sadiku jo vetëm që nuk e ka deklaruar konfliktin e interesit, por ka marrë pjesë aktive në procesin e vlerësimit dhe në vendimmarrjen përfundimtare. Sipas Agjencisë, kjo ka cenuar drejtpërdrejt parimet e paanshmërisë, objektivitetit dhe integritetit në prokurimin publik, duke krijuar avantazh për operatorin ekonomik me të cilin zyrtarja kishte lidhje familjare.

Për këtë arsye, me datë 10 tetor, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka kërkuar nga Ministria:

anulimin e kontratës për këtë tender,

inicimin e procedurës disiplinore ndaj zyrtares Saxhide Sadiku,

si dhe ka njoftuar institucionet kompetente për dyshime për shkelje të ligjit.

Megjithatë, pavarësisht këtij vendimi administrativ dhe detyrues, Ministria nuk e ka anuluar procedurën. Përkundrazi, ajo ka vazhduar me finalizimin e kontratës. Dokumentet kontraktuale tregojnë se kontrata është nënshkruar më 15 nëntor 2024, nga përfaqësuesit e autoritetit kontraktues, përfshirë edhe ministren Rozeta Hajdari, e cila ka vendosur nënshkrimin e saj në emër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Kontrata është lidhur me konsorciumin e operatorëve ekonomikë të udhëhequr nga “Kema Company” SH.P.K., ndërsa vlera e saj kap shumën prej 7,755,554 euro. Me këtë veprim, Ministria ka shpërfillur kërkesën për anulim të tenderit dhe ka vepruar në kundërshtim të drejtpërdrejtë me vendimin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, e cila ka konstatuar se konflikti i interesit ka ndikuar në vetë procesin e shpalljes së fituesit.

Të ngjashme

Të fundit