Ministri në largim, Faton Peci thuajse çdo herë është ndalur para gazetarëve të flasë këto javë kur ka vazhduar seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.
Megjithatë, sot ai nuk u pa as para fillimit të saj, ndërsa pas mbarimit, doli nga një dalje tjetër.
Gazetarja e Nacionales, Eriola Cacaj ka dërguar pamje ku Peci shihet duke ecur drejt veturës së tij, në pjesën ku nuk kishte gazetarë.
Theksojmë se zyrtarët policorë kanë hyrë sot në Ministrinë e Bujqësisë e cila drejtohet nga Faton Peci.
Gazeta Nacionale raportoi ekskluzivisht për ndërhyrjen e Prokurorisë Speciale në ministrinë e Faton Pecit.
Nacionale ka mësuar se rasti ka të bëjë me kontratën publike ‘Funksionalizimi i objekteve për përpunimin e produkteve shtazore’ e arritur më 10.01.2025.
Nënshkrimi i kësaj kontrate nga ministri Peci është vlerësuar si skandal. Kjo pasi kontrata në fjalë nuk është nënshkruar në përputhje me ligjin.
Tashmë, edhe Prokuroria Speciale e Kosovës e ka konfirmuar se po zhvillon aksion ndërlidhur me Ministrinë e Bujqësisë.
Prokuroria ka bërë të ditur se dyshimet janë pas raportimeve për fabrikën e mbetjeve shtazore.
“Ju njoftojmë se Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës është duke zhvilluar bastisje në katër lokacione. Bastisjet po zhvillohen mbi dyshimet per Fabrikën për përpunimin e mbetjeve shtazore. Për detaje të tjera, publiku do të njoftohet gjatë ditës” – ka thënë Nora Luta, zëdhënëse e Prokurorisë Speciale.