Ministria e Mbrojtjes ka pranuar sistemin e fluturakeve pa pilot AeroVironment RQ-20 Puma, të prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes programit shtet më shtet Foreign Military Sales (FMS). Këto kapacitete moderne do të shërbejnë për forcimin e aftësive operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës në fushën e vëzhgimit dhe operacioneve ajrore pa pilot.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, theksoi rëndësinë e këtij zhvillimi, duke deklaruar se pranimi i fluturakeve pa pilot të tipit RQ-20 Puma është një hap i rëndësishëm në rritjen e kapaciteteve të FSK-së në fushën e inteligjencës dhe zbulimit.
“Ky është rezultat i bashkëpunimit të shkëlqyer me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, partnerin tonë strategjik dhe të pazëvendësueshëm”, u shpreh ndër tjerash ministri Maqedonci.
Ai shtoi gjithashtu se ky bashkëpunim është dëshmi e vazhdimësisë së angazhimit të përbashkët për ngritjen dhe modernizimin e FSK-së, në përputhje me standardet më të avancuara ndërkombëtare.