Ministria e Mbrojtjes e Letonisë ka reaguar pas sulmit ndaj ushtarëve letonzë të KFOR-it në veri të Kosovës.
Përmes një postimi në Twitter kjo ministri ka thënë se ushtarët letonezë të KFOR-it janë përballur me të shtëna armësh në veri të Kosovës të dielën.
“Të dielën, më 25 dhjetor, të shtëna ka pasur në drejtim të paqeruajtësve letonezë teksa ata po kryenin një patrullë në Kosovë. Nga ngjarja nuk ka viktima. Policia e Kosovës dhe KFOR-i kanë nisur hetimet”, thuhet në postimin në Twitter.
Ndërkohë, gjatë mbrëmjes të së dielës, afër një patrulle të KFOR-it ka pasur të shtëna, nga të cilat nuk ka pasur të lënduar dhe as dëme materiale.
Të hënë, kryeministri Albin Kurti, ka zhvilluar takim me komandantin e KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia dhe Shefin e EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark.
Sipas njoftimit në takim u fol për me veprimet e strukturave kriminale në veri të Republikës së Kosovës, që cenojnë rëndë sigurinë në vend.
“Konstatim i përbashkët nga ky takim është se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë”, u theksua në takim.