Forca e Sigurisë së Kosovës, ka një dron më pak.
Kështu, pretendoi anëtari i kryesisë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj
Madje, ai në emisionin Ditari në Tëvë1 tha sa ka informacione edhe për numrin serik të dronit të FSK-së, i cili sipas tij, ka humbur.
“Nuk po e përmendi me emër, por ai e di shumë mirë që unë nuk flas kot. Por për shkak që është temë senzitive unë e kam kursyer, se ja kisha tregu edhe numrin serik të dronit që i ka humb. Ka shumë sene që ministri e di që ne pe kursejmë. Ai ministër nuk duhet me dal shumë me fol, por mi kry detyrat edhe mos mi lënë tjerët me ju bë ministër, se unë qe çmoj personalisht”, tha Haradinaj.
Por, këto deklarata Ministria e Mbrojtjes i ka demantuar.
Ky dikaster, deklaron që asnjëherë nuk është raportuar për humbje të ndonjë droni apo incidente të natyrës së njëjtë.
”Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci në baza të rregullta pranon raporte rreth zhvillimeve në FSK nga Komandanti dhe strukturat e FSK-së. Asnjëherë nuk është raportuar nga FSK dhe as nga strukturat të Ministrisë së Mbrojtjes për ndonjë incident që ndërlidhet me pretendimet për humbje te ndonjë droni. Ne kemi besim të plotë dhe të palëkundur në profesionalizmin dhe aftësinë e strukturës së FSK-së për mbikqyrje dhe menaxhim të aseteve të saj’’, thuhet nga Ministria e Mbrojtjes.
Ministria e Mbrojtjes së fundi ka blerë dronë Bayraktar të cilët i bëri publike vet kryeministri i vendit, Albin Kurti.