Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka sqaruar çështjen e vonesave në pagesat e pagave dhe shtesave për punonjësit e sektorit publik.
Sipas MFPT-së, përgjegjësia për përgatitjen e listave të pagave dhe sigurimin e buxhetit të mjaftueshëm për shtesat mbi pagën bazë i takon organizatave buxhetore përkatëse.
Ministria thekson se Thesari vetëm verifikon nëse shumat janë brenda kufijve të miratuar në ligjin për ndarje buxhetore dhe më pas kryen ekzekutimin e pagesave në llogaritë individuale. Në rast të tejkalimit të ndarjes buxhetore mujore, ekzekutimi i plotë i pagesave mund të bëhet i pamundur.
“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve përderisa shpreh mirëkuptimin e saj për shqetësimet e ngritura në lidhje me ekzekutimin e pagave dhe shtesave, e sheh të nevojshme të sqarojë se përgjegjësia mbi përgatitjen e listave të pagave, e njëkohësisht edhe sigurimin se shuma e urdhëruar për pagesë është brenda kufijve buxhetorë të miratuar në ligjin për ndarje buxhetore, i takon secilës organizatë buxhetore përkatëse. MFPT, përkatësisht Thesari, vetëm sigurohet që shuma është në përputhje me ndarjen buxhetore, dhe e bën procesimin e pagesës nëpër llogari individuale.” – thuhet në njoftim.
U takon organizatave buxhetore përkatëse që të planifikojnë buxhetin vjetor nëpër muaj, dhe të sigurohen se kanë buxhetin e mjaftueshëm kur miratojnë shtesa tjera mbi pagën bazë. Çdo tejkalim i ndarjes buxhetore proporcionale mujore, mund të rezultojë në situata ku bëhet i pamundur ekzekutimi i plotë.
MFPT ka njoftuar me kohë organizatat buxhetore për të planifikuar siç duhet fondet e tyre dhe ka shprehur gatishmërinë për t’i mbështetur në përmirësimin e planifikimit buxhetor, me qëllim që situata të mos përsëritet në muajt e ardhshëm dhe të gjithë punonjësit të marrin kompensimin e merituar.
“MFPT, konkretisht Thesari, ka njoftuar me kohë organizatat buxhetore që të sigurohen se janë brenda buxhetit. MFPT edhe njëherë shpreh gatishmërinë që të ofrojë mbështetje për të gjitha organizatat buxhetore që ato të bëjnë planifikimet e duhura dhe të sakta, çdoherë në pajtim me legjislacionin në fuqi, ashtu që të tejkalohet kjo situatë për muajt në vijim dhe mundi e puna të kompenzohet përkitazi për të gjithë ata që kanë punuar.” – thuhet tutje në njoftim.