Kryeshefi i Ngrohtores së Qytetit “Termokos”, Fisnik Osmani, ka thënë për Ekonomia Online se për fajin e Ministrisë së Financave, ka ngecur puna e një projekti i cili parasheh shtrirjen e rrjetit të ngrohjes në pesë lagje të kryeqytetit me rreth 700 mijë metra katrore.
Sipas tij, për këtë projekt, i cili kushton 9.4 milionë euro, Komuna e Prishtinës ka ndarë 5 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër thotë që presin si ndihmë nga niveli qendror, pasi vetë si ndërmarrje nuk kanë mundësi që t’i sigurojnë ato.
Ai ka thënë se kjo ngecje është një lajm jo i mirë për qytetarët, për shkak se “Termokos” nuk do të mund të ofrojë shërbime për këto lagje.
“Ne e kemi dërguar në komunë vitin e kaluar, një projekt i cili parasheh shtrirjen e rrjetit të ‘Termokosit’ në kapacitetin aktual në 5 lagje të kryeqytetit. Nuk janë vetëm lagje sa për të thënë lagje të tilla, mirëpo janë institucione të rëndësisë së veçantë, po flasim për Forcën e Sigurisë së Kosovës, për Qendrën e vjetër të Prishtinës ku ka koncentrim të tri shkollave, tri xhami, hamami, Arkivi i Prishtinës, Sahatkulla, banesat e bardha, diku 500 mijë metra katrorë që janë si zona shumë katesh, dhe si objektet afër rrugës Kalabria”.
“Komuna e Prishtinës ka ndarë 5 milionë euro, në një pjesë të projektit për shkak se projekti është 9.4 milionë euro i tillë, vendimi ka kaluar në Asamble vitin e kaluar dhe informatat të cilat i kemi nuk janë edhe të mira për qytetarët për shkak se mund të mos i dij edhe detajet teknike financiare”, u shpreh ai.
“Mirëpo si vendimmarrje është dashtë të kalojë nëpër zyrat e Ministrisë së Financave, në nivelin qendror dhe me gjasë aty nuk ka pasur gatishmëri që të ecet tutje. Po presim se si do ecet tutje, nëse veç nuk është bërë aprovimi që këto mjete të barten tek Termokosi, si mjete të pa shpenzuara të vitit 2023 dhe të marrura prej disa pjesëve të investimeve kapitale dhe sikur të mos jetë i vërtetë ky lajm, do të ishte shumë lajm i mirë për qytetaret për shkak se ne do të mund të ofrojmë shërbime për disa lagje”, ka thënë ai.
Osmani ka thënë se kanë bërë të pamundurën që vetë si ngrohtore t’i mbledhin forcat financiare por sipas tij, është e papërballueshëm kjo duke marr parasysh që “Termokos” nuk ka të hyra të tjera përveç atyre që vijnë prej inkasimit dhe pagesës së faturave.
Ai ka thënë se duke marrë parasysh rëndësinë e madhe të këtij projekti presin presin ndihmën nga komuna e niveli qendror.
“Ne si Ngrohtore kemi bërë të pamundurën që të mbledhin forcat financiare vetë, mirëpo është i papërballueshëm për shkak se nuk kemi të hyra te tjera përveç atyre që vijnë prej inkasimit dhe pagesës së faturave. Fatkeqësisht nuk kemi sasi të mjaftueshme të mjeteve për shkak të obligimeve që i kemi nga projektet aktuale, kështu që presim prej komunës, prej nivelit qendror, e të ecim tutje për shkak të rëndësisë së madhe që e kanë”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se i gjithë projekti përfshinë mbi 700 mijë metra katrorë.
“Nëse po flasim për shtim të edhe 700 e 800 mijë metra katror përafërsisht plus minus më pak, është temë e cila duhet të kaloj përtej diskutimeve ditore të cilat mund të bëhen prej secilës palë, ne kemi komuniku me komunën se jemi institucion që jemi në pronësi të saj, e po presim të na kthejnë përgjigje, komunikim me nivelin qendror direkt nuk kemi pasur për çështjen në fjalë dhe uroj të marrim përgjigje e të ecim tutje në këtë drejtim”, deklaroi ai. EO