Ministria e Drejtësisë është duke ndërmarr hapa konkretë për kthimin në punë të ish-kryeinspektorit Ylber Topalli, të cilin e kishte shkarkuar para disa muajve.
Në një përgjigje me shkrim për gazetën Nacionale, kjo ministri ka bërë me dije se është duke i ndërmarr veprimet e nevojshme ligjore për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Apelit, i cili e ka obliguar këtë institucion për ta zbatuar vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK).
“Lidhur me pyetjet tuaja ju njoftojmë se, Ministria e Drejtësisë është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për zbatimin e Vendimit të Gjykatës së Apelit”, është thënë në përgjigjen e MD-së për gazetën Nacionale.
Ministria nuk ka treguar se brenda çfarë kohe mund të kthehet z. Topalli në punë.
As avokati i Ylber Topallit, Faton Fetahu, nuk është i njoftuar se kur klienti i tij mund të kthehet në punë.
“Ende nuk kam pranuar ndonjë vendim të Ministrisë së Drejtësisë për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila përfundimisht vendosi lidhur me kthimin e z. Topalli në vendin e punës si kryeinspektor. Në pikëpamje ligjore, ushtrimi i ankesës në Gjykatën e Apelit, nuk e shtynë ekzekutimin e vendimit të KPMSHCK-së për kthimin e z. Topalli në punë. Por, Ministria e Drejtësisë nuk e kishte kthyer, siç nuk po e kthen as tani pas vendimit të Gjykatës së Apelit”, ka thënë ai.
Fetahu ka paralajmëruar se nëse ministria nuk e zbaton vendimin e Gjykatës së Apelit, do të bëj kallëzim penal.
“Ministrja e Drejtësisë znj. Haxhiu, më shumë se kushdo tjetër në Qeveri do të duhej t’a dijë se në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, respektivisht nenit 393 (Mospërfillja e gjykatës) dhe nenit 394 (Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore), janë përmbushur të gjitha kushtet që të fillohet ndjekja penale për shkak të mos zbatimit të vendimit të Gjykatës së Apelit, meqë ky vendim është bërë i formës së prerë. Vazhdoj të besoj se në këtë ministri janë të vetëdijshëm për pasojat që mund ti kenë dhe jam në pritje të kthimit në punë të klientit tim. Në të kundërtën, mjeti ynë i vetëm është kallëzimi penal si rrugë e pa alternativë dhe shumë e sigurt ligjore”, ka thënë Fetahu.
Vendimi i Gjykatës së Apelit
Para më shumë se dy jave, Gjykata e Apelit e Kosovës i ka dhënë të drejtë Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK) për rastin e kryeinspektori Ylber Topalli.
Aktvendimi i Gjykatës së Apelit, të cilin e kishte siguruar gazeta Nacionale, tregonte se ankesa e këshillit është pranuar si e bazuar.
Në pikën dy të aktvendimit thuhet se duhet të ndryshohet aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i cili kishte vendosur që të pranohet ankesa e Ministrisë së Drejtësisë ndaj vendimit të KPMSHCK-së për rastin e ish-kryeinspektorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ylber Topallit.
Në këtë mënyrë, Apeli ka bërë me dije se tani duhet të respektohet vendimi i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShK).
“I. Miratohet si e bazuar ankesa e të paditurit, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës me seli në Prishtinë. II. Ndryshohet aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë –Departamenti për Çështje Administrative, A.nr1089\2023. Të datës;03.07.2023, dhe çështja gjykohet si në vijim: refuzohet propozimi i paditëses-propozueses, Ministria e Drejtësisë me seli në Prishtinë, për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të paditurit, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës me seli në Prishtinë, A.nr638\2023, i datës 29.05.2023, si i bazuar”, thuhen në aktvendimin e Gjykatës së Apelit.
Para disa muajve, Ministria e Drejtësisë e kishte shkarkuar nga detyra kryeinspektorin Ylber Topalli. Këtë shkarkim ministria e kishte arsyetuar me disa shkelje që, sipas tyre, Topalli i kishte bërë në rastin Astrit Dehari.
Topalli shkarkimin e kishte cilësuar si jo të drejtë dhe ishte ankuar KPMShCK.
Ky i fundit e kishte pranuar ankesën e tij dhe kishte vendosur se shkarkimi i Topallit ka qenë i padrejtë.
Ministrisë së Drejtësisë nuk i kishte pëlqyer vendimi i këshillit.
Ministria kishte sfiduar vendimin në Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të tij.
Gjykatës Themelore në Prishtinë i kishte vendosur që të pezullohet ekzekutimi i vendimit. Ndaj këtij vendimi KPMShCK-ja ishte ankuar në Gjykatën e Apelit.
Dhe kjo e fundit në mënyrë përfundimtare ka vendosur se vendimi i KPMShCK-së ishte i drejtë dhe se Ylber Topalli duhet të kthehet në punë.