5.7 C
New York
Monday, November 25, 2024

Buy now

Ministria e Drejtësisë i reagon Këshillit Prokurorial të Kosovës

- Advertisement -

Ministria e Drejtësisë i ka reaguar Këshillit Prokurorial të Kosovës për deklaratën pas miratimit të Ligjit nr.08/L-249 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, shkruan Scanner.

Reagimi i plotë:

Ministria e Drejtësisë shpreh keqardhje për reagimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) të datës 15.07.2024 ndaj miratimit të Ligjit nr.08/L-249 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës

Reagimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, është në vazhdën e qasjes destruktive, veprimeve penguese dhe tendencave të vazhdueshme bllokuese të Këshillit Prokurorial madje është ndërhyrje flagrante në kompetencat e Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe ka për qëllim  ruajtjen e status quo-së dhe vazhdimin e problemeve sistematike, tanimë të njohura për publikun dhe për të cilat shprehin të gjithë shqetësim.

 

Ashtu si gjatë pjesëmarrjes në grupet punuese të Ministrisë së Drejtësisë, por edhe në diskutimet e fundit dhe amendamentet e shqyrtuara në Komisionin për Legjislacion të Kuvendit, reagimi i KPK-së nuk përmban as edhe një argument të vetëm se si ky ligj  “cenon pavarësinë e KPK-së”, “ndërhyn në mandatin kushtetues” apo edhe “pamundëson funksionalizimin e KPK-së”, siç pretendohet në reagimin e KPK-së. Reagimi përveçse përmban të pavërteta e pasaktësi faktike, gjithashtu bazohet vetëm në konstatime dhe deklarata të përgjithshme që nuk janë të specifikuara e as argumentuara ligjërisht dhe profesionalisht e cila qasje dhe veprim  bie në kundërshtim edhe me vet rolin dhe mandatin e KPK-së për bashkëpunim konstruktiv dhe kontribut profesional në përmirësim të sistemit të drejtësisë, në veçanti atij prokurorial.

 

Ligjit për Këshillin Prokurorial, i ka paraprirë një procedurë e gjatë e hartimit e cila ka përfshirë konsultimin formal tre herë me Komisionin e Venedikut, diskutime e propozime konkrete nga organizatat e shoqërisë civile dhe partnerët ndërkombëtarë, propozime dhe diskutime nga vet përfaqësuesit e sistemit prokurorial si dhe nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës së fundmi.

 

Pra, ndryshe nga konstatimet e pavërteta dhe aspak të qëndrueshme të Këshillit Prokurorial për qasje të njëanshme, refuzim dhe injorim të propozimeve e komenteve të përfaqësuesve të tyre, Ministria e Drejtësisë rithekson se në vazhdimësi ka ftuar përfaqësuesit e sistemit prokurorial në takimet e grupit të gjerë punues, por edhe në takimet e veçanta, duke trajtuar kështu secilin propozim të tyre dhe duke adresuar dhe pranuar të gjitha ato që janë në interes të vet reformës.

 

Rrjedhimisht, Kuvendi i Republikës së Kosovës, pas një procesi gjithëpërfshirës (përfshirë përfaqësuesit e sistemit prokurorial), ka miratuar një Ligj reformues për sistemin, në përputhje të plotë me opinionet e Komisionit të Venedikut dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese së vitit të kaluar për këtë çështje.

Ndryshe nga konstatimet e Këshillit Prokurorial, miratimi i nismës së tillë, ishte mirëpritur nga vet akterët pjesëmarrës në këtë reformë siç janë përfaqësuesit aktiv të shoqërisë civile dhe të tjerë dhe i cili fakt, nuk kishte nxitur reagimin kundërshtues të shumicës së partnerëve ndërkombëtarë pjesëmarrës në këtë nismë (përjashto atë të zyrës së BE-së që ka të bëjë me kërkesën e tyre për dërgim të serishëm në Komisionin e Venecias dhe adresim të rekomandimeve që kanë të bëjnë me komisionin parazgjedhor, për të cilat, Ministria e Drejtësisë së bashku me Komisionin për Legjislacion, kishin ofruar sqarimet e nevojshme).

 

Si rrjedhojë, Ministria e Drejtësisë i bën thirrje KPK-së të fokusohet në zbatimin e këtyre elementeve që janë në të mirën e vet sistemit dhe të cilën reformë publiku, së bashku me reformat tjera e pret nga institucionet të cilat janë të mandatuara për të garantuar sundim të ligjit, ofruar drejtësi e mbrojtur të drejtat e njeriut.

 

Ministria e Drejtësisë kërkon nga Këshilli Prokurorial i Kosovës që të braktisë qasjen destruktive dhe tendencat  penguese dhe të jetë një partnerë bashkëpunues me qëllim të jetësimit të plotë të reformës në drejtësi.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit