Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, thotë se veriu i Kosovës ishte “El Dorado” për kriminelët në 20 vitet e kaluara. Ai thotë se serbët, shqiptarët dhe boshnjakët janë gjithashtu të përfshirë në krim, por se ata kanë mbështetje politike për aktivitetet e tyre ilegale në Beograd.
Si shembull për ekzistimin e lidhjes mes krimit dhe politikës, ai përmend Milan Radojiçiqin, nënkryetarin e Listës Serbe, i cili është në listën e zezë të SHBA-së dhe që, siç thotë ai, gëzon mbështetjen e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Kur analizojmë situatën e sigurisë në veri, kuptojmë se nuk është bëhet fjalë vetëm për krizën e fundit. Veriu i Kosovës, pra katër komunat në veri të Kosovës, si zonë ishin si një ‘vrimë e zezë’ në sundimin e ligjit. Është një zonë e karakterizuar nga një nivel i jashtëzakonshëm i kontrabandës së mallrave, ku kanë ndodhur në kontinuitet vepra të ndryshme kriminale dhe të pandëshkueshme”, thotë Sveçla, në një intervistë për median serbe “N1”.
Ai rikujton se në muajt e fundit policia e Kosovës ka zbuluar pesë laboratorë droge në veri, si dhe punëtori të mihjes së bitcoin-it që punonin në të zezë.