Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla po qëndron në një vizitë në Uashington, ku është takuar me shefin e Operacioneve Ndërkombëtare në DEA, George Papadopulous.
Në një postim në Facebook, Sveçla ka bërë të ditur se fokus i këtij takimi ka qenë prezantimi i situatës aktuale dhe procese të arritura nga Kosova në luftimin e trafikimit me narkotikë.
“Patëm mundësinë të dëgjojmë për shqetësimet me të cilat po përballet bota për shkak të trafikimit me narkotikë, mënyrat më efikase për adresimin e këtyre problemeve dhe angazhimin e përbashkët si partnerë. Prezantuam punën e mirë që Policia e Kosovës ka bërë gjatë vitit të kaluar në luftimin e trafikimit me narkotikë e që po vazhdon edhe gjatë këtij viti, si dhe angazhimin për ta larguar Kosovën nga lista e vendeve ku zhvillohen veprimet e tilla kriminale. Kam shprehur gatishmërinë e Kosovës për bashkëpunim dhe shkëmbim të informatave për luftimin e grupeve kriminale, nevojën për forcimin e kontrollit të kufinjëve, nevojën për bashkëpunimin policor me vendet e rajonit si dhe partnerët e tjerë”, ka shkruar Sveçla.
Ministri Sveçla ka shtuar se i siguruan ekipin e DEA-s se Kosova është e vendosur të jetë partner në luftën e pakompromis të krimit të organizuar dhe trafikimit me narkotikë.
“Z.Papadopulous ka vlerësuar bashkëpunimin e ngushtë të Kosovës, përfshirë edhe aksionin “Adriatiku” i cili ka rezultuar me kapjen e 415 kg kokainë dhe ka potencuar se bashkëpunimi me partnerët është më se i domosdoshëm për të qenë efikas dhe për të arritur rezultate më të shpejta. Andaj, i siguruam që Kosova është e vendosur të jetë partner në luftën e pakompromis të krimit të organizuar dhe trafikimit me narkotikë”, ka shkruar Sveçla.