Ministri suedez i Migracionit, Johan Forssell, ka deklaruar se është “i tronditur dhe i tmerruar” pasi ka mësuar për përfshirjen e të birit adoleshent në grupe ekstremiste të djathta.
Sipas The Guardian, Forssell, i cili i përket partisë qendrore të djathtë dhe është pjesë e një koalicioni qeverisës që mbështetet nga Demokratët e Suedisë (parti e ekstremit të djathtë), ka deklaruar se disa javë më parë ishte kontaktuar nga shërbimi i sigurisë suedeze, Säpo, për aktivitetet e të birit 16-vjeçar.
Bëhet e ditur se ministri ka vendosur të dilte publikisht pas një hetimi të revistës antiraciste Expo, e cila raportoi se një “i afërm i ngushtë i një ministri suedez” ishte aktiv në ekstremizmin e dhunshëm të djathtë.
Forssell ka treguar se megjithëse e ndiqte djalin e tij në rrjetet sociale – i cili ndiqte aktivistë e “influencerë” të ekstremit të djathtë – ai nuk kishte pasur asnjë dijeni për përfshirjen e tij derisa u kontaktua nga gazetarët.
“Si prind je i tronditur, i tmerruar. Kam një 15-vjeçar thellësisht të penduar, i cili sapo ka mbushur 16 vjeç. Këto aktivitete kanë përfunduar, por bisedat tona do të vazhdojnë natyrisht,” është shprehur ministri.
Tutje ai përmes një reagimi në rrjete sociale, ka thënë se situate e tij “duhet të shërbejë si një thirrje zgjimi” për prindërit”, rreth asaj se sa “dijmë vërtetë për atë që bëjnë fëmijët tanë në rrjete sociale”.
Ekstremizmi i djathtë ka ekzistuar prej kohësh në Suedi, por ekspertët thonë se vitet e fundit ka pasur një zhvendosje drejt grupeve më të vogla e më fleksibël, shpesh të lidhura me aktivitet fizik, që rekrutojnë djem e të rinj përmes rrjeteve sociale përpara se të kalojnë në platforma më private.
Lidhur me çështjen ka folur edhe kryeministri suedez, Ulf Kristersson, i cili ka deklaruar se ende ka besim te ministri i migracionit, duke thënë se ai ka “vepruar si një prind përgjegjës, siç duhet të bëjë dikush kur mëson se fëmija i tij është në rrugë të gabuar dhe në shoqëri të keqe.