Ministri maqedonas i Drejtësisë, Igor Filkov, ka thënë të mërkurën se fletarrestimet e lëshuara nga INTERPOL-i, me kërkesë të Serbisë, për ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), vazhdojnë të jenë të zbatueshme në Maqedoninë e Veriut.
Ai theksoi se deklaratat e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski për këtë çështje gjatë një vizite në Kosovë, janë “keqkuptuar”.
Mickoski kishte thënë gjatë vizitës së tij në Prishtinë javë më parë se “kushdo që nuk i shkel ligjet” e vendit të tij është i “mirëseardhur” në Maqedoninë e Veriut, kur ishte pyetur në lidhje me kërkesat e Serbisë për arrestimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, të cilët Beogradi i akuzon për gjoja krime lufte.
Filkov tha të mërkurën se ajo çfarë “tha kryeministri atje nuk ka të bëjë me atë që ne të mbledhim çfarëdolloj kriminelësh, por ka të bëjë me zbatimin e drejtësisë dhe ligjeve”.
I pyetur nëse fletarrestimet e INTERPOL-it, me kërkesë të Serbisë, për ish-anëtarët e UÇK-së do të vlejnë nëse ata shkojnë në Maqedoninë e Veriut, Filkov u përgjigj shkurt: “Deri tani, vlejnë”.
Në korrik, autoritetet maqedonase e arrestuan ish-pjesëtarin e UÇK-së, Blerim Ramadani, në pikëkalimin kufitar Jazhincë – që lidh Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut – në bazë të një fletarrestimi të lëshuar nga Gjykata në Beograd, përmes INTERPOL Serbia, nën akuza për krime lufte.
Gjatë një interviste për Radio Televizionin e Kosovës (RTK) më 18 nëntor, Mickoski la të kuptohej se Shkupi nuk do të vazhdojë t’i zbatojë fletarrestimet e iniciuara nga Serbia përmes INTERPOL-it.
“Kushdo që nuk i ka shkelur ligjet dhe Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut dhe që nuk ka konflikt me ligjet dhe Kushtetutën mund të vijë dhe të qëndrojë në Maqedoninë të Veriut. Unë mendoj se kështu duhet të jetë”, tha ai.
Në gusht, Ramadani u arratis nga arresti shtëpiak nga shtëpia e të afërmve të tij në Maqedoninë e Veriut, ku ishte urdhëruar nga gjykata në Shkup të qëndronte deri më 16 gusht, duke nxitur reagime nga Serbia.
Pas arratisjes së Ramadanit, ministri serb i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, tha se kërkojnë shpejgim nga autoritetet maqedonase për këtë rast.
Ai e cilësoi si “skandaloz” arratisjen nga arresti shtëpiak të Ramadanit.
Autoritetet serbe e akuzojnë Ramadanin se ka kryer krime lufte në rajonin e Nerodimes verën e vitit 1999, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës (MPJD).
Gjykata në Shkup e hodhi poshtë kërkesën e Serbisë për ekstradimin e Ramadanit në Beograd në gusht