Izraeli nuk dëshiron një vend të qëndrueshëm përreth vetes dhe synon të ndajë Sirinë përmes trazirave të dhunshme në provincën jugore të Sweidës, deklaroi të martën ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan.
Duke folur në një konferencë për shtyp me homologen e tij nga El Salvadori, Alexandra Hill, në kryeqytetin Ankara, ai tha se Izraeli po përpiqet “ta zhysë rajonin në kaos për të ruajtur statusin e vet”, dhe se trazirat në jug të Sirisë, ku shumicën e popullsisë e përbëjnë Druzet, janë “pasqyrim i këtij qëllimi”.
“Si Turqi, ne kurrë nuk do të mund të qëndrojmë të heshtur përballë një veprimi të tillë,” tha kryediplomati turk, duke theksuar se përplasjet mes fraksioneve druze dhe beduine mund të ishin shmangur vetëm me ndërhyrjen ushtarake të qeverisë qendrore siriane, raporton timesofisrael.
Në muajin korrik, shpërthyen përleshje mes fiseve arabe beduine dhe grupeve të armatosura druze në Sweidë, në jug të Sirisë.
Situata u përkeqësua më 16 korrik, kur ushtria izraelite kreu sulme pranë pallatit presidencial sirian, si dhe ndaj selisë së Shtabit të Përgjithshëm dhe Ministrisë së Mbrojtjes.
“Ne do ta konsiderojmë këtë një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë sonë kombëtare dhe do të ndërhyjmë nëse përpiqeni ta ndani dhe destabilizoni [rajonin],” paralajmëroi Fidan, Izraelin.
Ankaraja ka luajtur një rol kyç në vendosjen e armëpushimit në Siri, pas sulmeve ajrore izraelite që synuan kryeqytetin Damask, si dhe Sweidën e Darain, me arsyetimin e mbrojtjes së komunitetit druz.