Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka reaguar për zhvillimeve të fundit në komunat veriore.
Përmes një statusi në Facebook, ministri Krasniqi ka thënë se pas betimit të kryetarëve që bënë dje kryetarët e ri të Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, duhet të ushtrojnë detyrat e tyre në zyra komunale.
“Dje u betuan edhe kryetarët e komunës së Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit. Për ta sot është dita e parë e punës. Punë dhe shërbim të cilin duhet ta kryejnë nga zyrat e Komunave bashkë me shërbyesit civilë”, ka shkruar ai.
Sipas Krasniqit, komuna është e qytetarëve dhe ata nuk mund të mbesin pa komunë
“Ata janë zotuar që do t’i shërbejnë të gjithë qytetarëve pa dallim. Si ministri dhe institucione qendrore japim mbështetjen tonë të plotë në përmbushjen e obligimeve kushtetuese dhe ligjore të kryetarëve të rinj. E si institucione qendrore e kemi obligim që t’ua sigurojmë dhe mundësojmë përmbushjen e këtyre obligimeve”, ka shkruar ai.
Dhjetëra persona janë mbledhur nëpër oborre të tri komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, më konkretisht Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.
Në këto zona është lëshuar edhe alarmi.
Policia e Kosovës përdori gaz lotsjellës dhe shok-bomba për t’i shpërndarë qytetarët e tubuar para objektit komunal në Zveçan – komunë e banuar me shumicë serbe në pjesën veriore të vendit.
Paraprakisht, policia njoftoi se po asistonte kryetarët e rinj të komunave veriore: Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të hyrë në objektet zyrtare të komunave përkatëse.
Udhëheqësit e këtyre komunave me shumicë serbe – që të gjithë shqiptarë – u betuan një ditë më herët në ndërtesa publike, si shkollat, për shkaqe të sigurisë.
Ndonëse thanë se, së shpejti, do të nisin punën nga objektet komunale, nuk ishte e qartë se kur do të ndërmerrej një hap i tillë.
Në të katër komunat me shumicë serbe në veri u dëgjuan fillimisht sirena alarmi, ndërkohë që para objekteve komunale në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq u mblodhën edhe qytetarë.