22.7 C
New York
Monday, August 25, 2025

Buy now

Militanti i VV-së, tani drejtor në RTK, ankohet për kritikat ndaj televizionit publik

- Advertisement -

Drejtori i Radio Televizionit të Kosovës, Rilind Gërvalla, ka reaguar lidhur me krahasimin e përdorur nga deputeti Ardian Kastrati të RTK-së me Radio Televizionin e Serbisë.

Ky reagim i Gërvallës erdhi pasi deputeti Kastrati, në një nga debatet televizive, bëri këtë krahasim mes të dyja televizioneve si shkak i përhapjes së propagandës nga RTK, me rastin e vizitës së Kurtit në RMV, ku u raportua se ishte bërë atentat ndaj kryeministrit të Kosovës.

“…Ardian Kastrati humbi mendjen dhe krahasoi RTK me RTS – dhe atë pa asnjë korrigjim nga udhëheqësi i emisionit…”, ka shkruar ai në Facebook.

Postimi i plotë:

MOS TË KRAHASOHEMI ME SERBINË!

Lajmërimi i RTK-së se kryeministri Kurti është kërcënuar nga ekstremistë gjatë vizitës së vet në Shkup ka shkaktuar reagime te disa nga konkurrentët tanë. Në atë kuptim, asgjë të re në front të mediave. Dhe meqë gjuha e debatit në studio shpesh replikon gjuhën e rrugës, e gufon si në kafe, ishte e pritshme që do të kishte… si t’i quajmë? Shkallëzime?

Mirëpo, gjithçka ka një kufi. Për mua, ky kufi u kalua në studio të RTV Dukagjinit, kur deputeti Ardian Kastrati humbi mendjen dhe krahasoi RTK me RTS – dhe atë pa asnjë korrigjim nga udhëheqësi i emisionit. Dhe kush?! Deputeti që i njeh mirë studiot e RTK-së.

Ky krahasim, e toni i përditshëm në të cilin e tha Kastrati, lirshëm, shkujdesur, thuajse po porosiste një kafe; si dhe përsëritja e lehtë që i bën moderatori “RTS po i thua RTK-se?”, si kamarieri që ta përsërit porosinë, sa për të qenë i sigurt se të kuptoi. Ky ton pra normal me të cilin Kastrati e të tjerë si ai shestojnë çmenduri të tilla, në studio televizive, në orarin më të mirë. Thjesht ta ndal frymën.

A vërtet s’e ditkan më zotërinjtë dallimin midis RTS dhe RTK?! S’e mbajnë mend që RTS ishte vegël e gjenocidit të Serbisë, kur RTK ishte viktimë e saj?! Apo s’arrijnë dot më të bëjnë dallimin sot, midis asaj se ç’thotë RTS dhe asaj se ç’thotë RTK? A nuk dinë se kush i drejton këto dy institucione?! RTS është nën kontroll të regjimit të Vuçiçit, kurse ne te RTK-së nën kontroll të parlamentit demokratik të Republikës së Kosovës: a s’e dinë më zotërinjtë dallimin?! Apo e dinë, por e fshijnë: se janë radikalizuar e jetojnë në një botë të veten, si të gjithë ekstremistët?

Unë nuk e di cila përgjigje do të ishte më e mirë. Ta them të drejtën, më frikësojnë që të dyjat. Se të dyjat shfaqin sheshit se sa është normalizuar ekstremi. Se sa jemi mësuar të gjithë me marren, si profesionistë, si politikanë, e si publik. Ne po vlojmë të gjithë si bretkosat në ujë të valë, por s’e vërejmë sa pa na rrjepur. Sepse uji është ngrohur gradualisht tash e sa kohë.

Unë ftoj të gjithë kolegët që t’ia vemi gishtin kokës, e të mendojmë para se të shprehemi – edhe në studio debatesh. Po shohim përditë se sa destruktiv është polarizimi ekstrem kudo, edhe në demokracinë më të vjetër të botës, në SHBA. Imagjino se ç’i bën ky shkumim, këto thyerje të njëpasnjëshme nervash nëpër studio, një demokracie adoleshente si kjo jona.

RTK është transmetuesi i vetëm publik në regjion që gëzon shikueshmëri e besueshmëri të lartë. Si i tillë, natyrisht që do të jetë gjithmonë në shënjestër: herë nga pushteti, herë nga opozita. RTK lajmëroi për kërcënime kredibile ndaj kryeministrit të Republikës së Kosovës. Mbase konkurrentët tanë janë të pamësuar që RTK të ketë scoop, s’ka gjë. Kësaj radhe qemë ne, nesër do të jeni ju. Krejt këto janë normale, brenda suazave të një fair play mediatik të një demokracie të gjallë.

Por mos gufoni çdo herë si kafja, aman. Mos dilni mendsh nëpër studio. Gjithçka ka një kufi: mos të krahasojmë njëri-tjetrin me Serbinë.(Këtë jam i bindur qe do ta thoshte edhe baca Sylë Kastrati ndjesë pastë)

Me gjithë respektin për qytetarët e ndershëm dhe progresivë të Serbisë e edhe komunitetit serb në Kosovë,  por pas virusëve të njëpasnjëshëm, Millosheviç, Koshtunica, Vuçiç, sot fjala Serbi shpreh jo kombësinë apo shtetin po diagnozën. Mos ta krahasojmë veten me Serbinë, vetëm këtë dua ta them. Se s’i bën nder askujt: e më së pakut atij që krahason.

Të ngjashme

Të fundit