Valton Hasani prej kohësh ka bërë postime të ndryshme në faqen e tij në Facebook, përmes të cilave ka ushtruar mashtrim dhe kërcënime.
Së fundi, një nga këto postime ia ka drejtuar mediumit më të madh në vend, Klan Kosova. Për ta bërë më të besueshëm pretendimin e tij, ai ka përdorur manipulim fotografik, duke e shoqëruar atë edhe me gjuhë fyese.
Përveç kësaj, Hasani, i cili në profilin e tij shfaqet si admirues dhe i fiksuar pas kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ka përdorur termin “Klan Serbia” në disa mesazhe që dukeshin të drejtuara ndaj udhëheqësit të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilit i referohet si “babë”.
Pikërisht për këto editime jo reale dhe për gjuhën fyese ndaj mediumit dhe autorit të emisionit “Rubikon”, Adriatik Kelmendi, Hasani ka përfunduar në pranga.
“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është arrestuar një person për një kohëzgjatje prej 48 orësh, pasi i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale ‘Kanosje’, në bazë të nenit 181 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurori i shtetit ndodhet në fazën e ndërmarrjes së veprimeve konkrete hetimore, në bashkëpunim me institucionet e tjera relevante”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Për reagimin e shpejtë të institucioneve ka reaguar edhe televizioni, i cili falënderon organet e rendit dhe ligjit dhe zotohet para shikuesve se puna do të vazhdojë gjithmonë me profesionalizëm.
“I falënderojmë institucionet e rendit dhe ligjit për ndërhyrjen e shpejtë dhe arrestimin e personit që ka bërë disa kanosje ndaj stafit të Klan Kosovës. Ne, si media më e madhe në vend, presim që rasti të trajtohet me seriozitetin më të madh dhe që dënimi i këtij kanosësi të shërbejë si shembull për këdo që në të ardhmen synon t’i kërcënojë apo t’ia mbyllë gojën medias”, thuhet në reagim.
“Klan Kosova i siguron shikuesit se nuk ka kërcënim apo kanosje që do të ndikojë në moskryerjen e punës sonë me përgjegjësi dhe profesionalizëm, në shërbim të informimit të drejtë, të saktë dhe në interes të publikut”, thuhet më tej në mesazhin falënderues të Klan Kosova.
Mesazhet e Hasanit pasuan një lajm të publikuar nga Klan Kosova tre ditë më parë, ku televizioni raportoi për dallaveret në konkursin e “Ibër-Lepencit”, duke iu referuar si sekserë Dejona Mihalit dhe ministres në detyrë, Artane Rizvanolli.
Edhe më herët ka pasur cenime ndaj televizionit, por Klan Kosova ka vazhduar raportimin e rregullt dhe të pandërprerë në interes të publikut. /Klankosova.tv













