22.5 C
New York
Friday, June 13, 2025

Buy now

Miliona për ujitje, por toka mbetet shkret, dështimi i radhës nga ministria e Faton Pecit

- Advertisement -

Ministria e Bujqësisë nën drejtimin e Faton Pecit ka nënshkruar kontrata për ndërtimin e sistemeve të ujitjes në tetë komuna me vlerë mbi 2.1 milionë euro, por një pjesë e madhe e punëve nuk janë kryer, pasi projektet janë ndërprerë, sistemi nuk është funksionalizuar, dhe paratë publike janë shpenzuar pa dobi për fermerët. Kështu thotë raporti më i ri i Zyrës Kombëtare të Auditimit, që dokumenton një tjetër rast të planifikimit katastrofal e dështimit menaxherial nga ministria e Pecit, shkruan Demokracia.com.

Auditimi i pasqyrave financiare të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) ka zbuluar një dështim klasik të projektit për ndërtimin dhe zgjerimin e sistemeve të ujitjes në tetë komuna. Kontratat janë nënshkruar, punët janë nisur diku e as që janë filluar diku tjetër, por rezultati ka përfunduar me projekt te dështuar.

Nga 2.1 milionë euro të planifikuara për projektin në Mitrovicë, Vushtrri, Istog, Klinë, Kamenicë, Deçan, Junik e Shtime, vetëm një pjesë e mjeteve janë shpenzuar, ndërsa sistemi i ujitjes nuk funksionon në shumicën e komunave.

Në Mitrovicë, Vushtrri, Istog dhe Klinë, punimet janë ndërprerë me marrëveshje, për shkak të problemeve në zbatim, pasi projektet ishin të pazbatueshme në terren. Rreth 660 mijë euro janë harxhuar, por asgjë nuk është përfunduar.

Në Kamenicë, s’ka filluar as një gërmim, kontrata është anuluar para se të lëshohej ndonjë pagesë.

Në Deçan, Junik dhe Shtime, punët janë kryer formalisht, por ende nuk janë pranuar përfundimisht, dhe ujë për fermerët ende s’ka.

Sipas ZKA-së, rrënja e dështimit është e qartë: Ministria e Pecit kontraktoi miliona pa analizuar gjendjen reale në komunat përfituese. Kishte mosrakordim të dizajneve me nevojat, probleme pronësore me banorët, dhe mungesë lejesh për t’u kyçur në sistemin ekzistues të ujitjes nga Ibër-Lepenci.

Kjo mënyrë e menaxhimit, ku paratë publikë hidhen në projekte të papërgatitura dhe të pamundura për zbatim, rezulton me dëme të drejtpërdrejta buxhetore dhe mospërmbushje të qëllimit për mbështetjen e fermerëve.

“Mos funksionalizimi i projekit ndikon në mos arritjen e qëllimit të mbështetjes financiare nga ministria si dhe në humbje financiare për projekte të dështuara. Ministri duhet të siguroj se është bërë një rivlerësim i mënyrës së menaxhimit të projektit, rezultatet e të cilit do të shërbejnë në krijimin e një strukture të qëndrueshme për analiza fillestare dhe planifikim të detajtuar të mundësive dhe burimeve që do të mundësojnë realizimin e plotë të projekteve të ardhshme”, ka thënë ZKA.

Ministria e Pecit, është pajtuar më këtë të gjetur.

 

Të ngjashme

Të fundit