28.4 C
New York
Friday, September 19, 2025

Buy now

Miliona euro për libra, SBAShK: Fëmijët në banka bosh

- Advertisement -

Qeveria në detyrë mori sot vendim që të ndajë mbi 2 milionë euro për subvencionim të teksteve shkollore. Derisa kjo metodë e praktikuar nga MASHTI po vazhdon të kundërshtohet nga Sindikata e Arsimit.

Kanë kaluar tre javë nga fillimi i vitit të ri shkollor.

Por një numër i nxënësve ende nuk janë pajisur me libra.

Kjo për shkak të vonesave të krijuara në ekzekutimin e pagesave për prindërit që kanë aplikuar për t’u subvencionuar.

E të premten, Qeveria në detyrë e Kosovës ndau mbi 2 milionë euro për subvencionimin e teksteve shkollore.

“Nga MASHTI kemi pranuar kërkesën për transfer të brendshëm në vlerë prej 2 milionë e 41 mijë eurove që ndikon deri në 25 për qind të ndarjes së ndikuar negativisht nga Ligji për ndarjet buxhetore”, deklaroi ministri në detyrë  i Financave, Hekuran Murati.

Drejtori i shkollës së Gjelbër në Prishtinë thotë se ka raste të prindërve të cilët janë ankuar për mosmarrjen e të hollave të dedikuara për blerjen e teksteve shkollore.

“Përveç një prindit që ka ardhur dhe na ka thënë që nuk i kanë dal mjetet, të gjitha punët nga ana e shkollës  janë përfunduar. Në fillim të gjitha kërkesat e prindërve janë aprovuar dhe nuk ka pas shqetësime të tjera”, deklaroi drejtori i Shkollës së Gjelbër, Besart Ismajli.

Pas këtyre vonesave, kanë reaguar edhe nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit të cilët e kanë quajtur të gabuar rrugën që MASHTI ka zgjedhur për blerjen e teksteve shkollore.

“Është një rrugë e gabuar, çka po përsëritet edhe në vitin e tretë që po ka vonesa por përveç vonesave është krijuar edhe një pabarazi në mes të nxënësve, ku disa nxënës që vijnë nga familjet me kushte ekonomike më të larta i kanë siguruar librat kurse nxënësit që kanë kushte me të dobëta jo që kanë shkuar në këto dy javë por do të shkojnë edhe në tërë muajin e ata nuk do të kenë libra”, deklaroi Vjollca Shala nga SBAShK-u.

Ky është viti i tretë që Ministria e Arsimit subvencionon blerjen e teksteve shkollore, e kësaj radhe  nxënësit nga klasa e 1-5 marrin nga 80 euro për blerjen e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore , kurse ata nga klasa e 6-9 nga 80 euro për blerjen e fletorëve të punës dhe materialeve mësimore.

 

Të ngjashme

Të fundit