22.4 C
New York
Sunday, June 8, 2025

Buy now

Miley Cyrus rrëfen për të kaluarën: Shpenzoja shuma të mëdha për drogë dhe e fshihja nga kontabilisti im

- Advertisement -
Këngëtarja e njohur Miley Cyrus ka folur hapur për të kaluarën e saj, duke përfshirë vitet kur shpenzonte shuma të mëdha parash për drogë, duke e mbajtur këtë të fshehtë madje edhe nga llogaritari i saj, siç rrëfen vetë ajo.

Në një episod të ri të podcastit “Every Single Album” për platformën The Ringer, 32-vjeçarja është ndalur tek gjendja mendore që kishte gjatë realizimit të albumeve të saj, përfshirë Bangerz dhe Endless Summer Vacation. Në mënyrë të veçantë ajo foli për albumin eksperimental të vitit 2015, “Miley Cyrus & Her Dead Petz”, duke zbuluar se pikërisht atëherë kishte shpenzuar më së shumti për drogë.

“Drogat ishin shpenzimi më i madh. Për ta fshehur nga llogaritari, i regjistronim si shpenzime për rroba”, ka treguar Miley.

Ajo shton se këto shpenzime “fiktive” për rroba i shfaqeshin gjatë turneve, dhe me kalimin e kohës, llogaritari filloi të dyshonte.

“Sa herë më takonte më pyeste: ‘Ku është ajo bluza origjinale e John Lennon për të cilën the se pagove 15 mijë dollarë?’ Unë i përgjigjesha: ‘Është lart, po e ruaj se materiali është shumë i ndjeshëm’”, rrëfen ajo me humor.

Duke ironizuar me këtë periudhë, Miley thotë se atë vit “bleu shumë rroba të shtrenjta” – duke lënë të kuptohet se ishte një mënyrë për të fshehur abuzimin me substanca.

Duke u kthyer pas në kohë, ajo pranon se ndihet me fat që ka shpëtuar nga ajo periudhë e errët: “Jam shumë e lumtur që e mbijetova atë fazë. Nuk do ia rekomandoja askujt të shkonte kaq larg, por jam e kënaqur që e kalova dhe dola nga ajo”.

Miley ka qenë e hapur ndër vite për luftën e saj me varësinë. Që në vitin 2017, në një intervistë për Billboard, ajo kishte deklaruar: “Nuk kam pirë marihuanë për tre javë, që është periudha më e gjatë për mua. Nuk përdor drogë, nuk pi alkool, jam totalisht e pastër. E bëra sepse kështu desha”.

Megjithatë, gjatë pandemisë ajo kishte rifilluar të konsumonte alkool, por pa u kthyer tek drogat. Në një intervistë për Rolling Stone në vitin 2021, ajo tha: “Për vite të tëra nuk kam përdorur asgjë. Nuk dua të parashikoj të ardhmen apo të pretendoj se nuk mund të ndodhë më. Por sinqerisht, diçka shumë e keqe do të duhej të më ndodhte që të kthehesha sërish tek drogat”.

Së fundmi, Miley ka folur edhe për mendimet e saj lidhur me mëmësinë, duke shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale. Në podcastin The Interview të New York Times, ajo rrëfeu mbi uljet dhe ngritjet në jetën personale, përfshirë mendimet për të pasur fëmijë.

“Është një përgjegjësi e madhe, kërkon shumë energji dhe sakrifica”.

Ajo e bëri të qartë se aktualisht nuk ka plane për të pasur fëmijë, duke përmendur një bisedë me njerkun e saj: “Më tha: ‘Pse nuk ke një markë tënden të grimit?’ Unë i thashë: ‘Sepse nuk më intereson.’ Ai u përgjigj: ‘Kjo është përgjigjja e duhur.’”

Këtë filozofi ajo e aplikon edhe për mëmësinë: “Nuk kam një linjë grimi sepse nuk jam grimere. E njëjta gjë ndodh edhe me idenë e të qenit nënë. Asnjëherë s’më ka tërhequr shumë. Është një barrë e madhe, një përkushtim i vazhdueshëm. Nëse nuk është pasioni yt, nuk e di si mund t’i përballosh netët pa gjumë dhe 18 vite përkushtim, siç ka bërë nëna ime”.

Miley, edhe pse shpesh kontroverse, vazhdon të frymëzojë shumë njerëz me sinqeritetin dhe reflektimin e saj të hapur, duke treguar se rritja personale shpesh vjen pas periudhave më të vështira.

Të ngjashme

Të fundit