Milani synon të transferojë dy sulmues qendrorë para mbylljes së afatit kalimtar të verës dhe ka prioritet nënshkrimin e Conrad Harder, duke pasur tashmë një ofertë për 20-vjeçarin.
Milani është në kërkim të dy sulmuesve qendrorë, por ka vendosur të mos vazhdojë me Victor Boniface, pasi rezultatet e kontrolleve mjekësore, të kryera të premten dhe të shtunën, nuk ishin bindëse.
“Rossonerët” kishin arritur një marrëveshje të plotë me Bayer Leverkusen dhe me vetë sulmuesin, dhe tashmë pritet një komunikatë zyrtare nga klubi për ta sqaruar situatën.
Siç ka raportuar më parë Football Italia, Milani dëshiron të afrojë dy sulmues para mbylljes së afatit kalimtar, teksa edhe Adrien Rabiot po diskutohet për mesfushën.
Milani ka dërguar gjithashtu një ofertë për sulmuesin e Sporting Lisbonës, Conrad Harder, siç u raportua të shtunën nga Football Italia, dhe agjenti i lojtarit danez ka kërkuar nga Milani të marrë një vendim përfundimtar, pasi 20-vjeçari ka vendosur si prioritet kalimin te “San Siro”.
Së fundmi, një ndërmjetës ka ofruar sulmuesin e Genk, Tolu Arokodare, si një tjetër opsion për ofensivën kuqezi.