Milani dhe Interi po përgatisin risi të mëdha për stadiumin e ri San Siro, i cili pritet të ndërtohet në hapësirën aktuale të parkingut të “Giuseppe Meazza”.
Sipas mediave italiane, projekti tashmë ka marrë dritën jeshile dhe pas përfundimit të stadiumit të ri, struktura aktuale mund të shembet ose të transformohet për qëllime të tjera.
Sipas La Gazzetta dello Sport, një nga risitë më interesante të planifikuara nga arkitektët Manica dhe Foster + Partners është krijimi i një “Tunnel Club”, një zonë elitare për tifozë me bileta speciale.
Ky koncept, i frymëzuar nga stadiumet e Tottenhamit dhe Manchester Cityt, do t’u mundësojë tifozëve të përzgjedhur të shohin lojtarët nga afër në tunelin e stadiumit pak para fillimit të ndeshjes, përmes një xhami mbrojtës. Ata do të qëndrojnë praktikisht pranë skuadrave, duke i parë lojtarët “sy më sy” në momentet e fundit para daljes në fushë.
Projekti i Tottenham Hotspur Stadium ka shërbyer si frymëzim kryesor për klubet milaneze, të cilat synojnë të ofrojnë një eksperiencë moderne dhe unike për tifozët.
Stadiumi i ri San Siro pritet të ketë rreth 71,500 ulëse, të ndara në dy kate, me një formë ovale, ndryshe nga struktura ikonike drejtkëndore e stadiumit aktual. Ky projekt synon ta çojë përvojën e futbollit në Milano në një nivel krejtësisht të ri, duke kombinuar traditën me inovacionin modern.






