Kjo është pozita kryesore në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pas asaj të Drejtorit të Zyrës së Partive Politike. Të dyja këto tash do të drejtohen nga i njejti person.

 

Siç mëson Periskopi, Buzhala është emëruar me konsensus të anëtarëve të KQZ-së për shkak se kryeshefit të kaluar i kishte kaluar mandati dhe kjo pozitë nuk mund të mbetej e zbrazët për shkak të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës.

Periskopi ka siguruar vendimin e nënshkruar nga kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

“Z. Besnik Buzhala (Drejtor i Zyra për Regjistrimin, Certifikimin dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike), caktohet U. D Drejtori i Sekretariatit të KQZ, deri në përzgjedhjen e drejtorit të Sekretariatit të KQZ-së, por jo më gjatë se afati i përcaktuar me nenin 35 paragrafi 3 të Ligjit Nr. 08/L-197, për Zyrtarët Publik”, thuhet në vendimin e nënshkruar në 24.09.2024.

 

Neni i cili përmendet në vendim thekson se, zyrtar publik nuk mund të caktohet si ushtrues detyre më gjatë se 6 muaj. Kur pozita nuk mund të plotësohet brenda afatit 6 mujor, ky afat mund të zgjas më së shumti edhe për 6 muaj të tjerë.

Sipas kësaj përllogaritje, Buzhala do të qëndrojë si U. D më së paku deri në fund të marsit të vitit 2025, pra deri në përfundimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës.

Më 12.12.2022, Buzhala ishte emëruar Drejtor i Zyrës për Regjistrimin, Certifikimin dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike në vitin 2022, pas procesit të rekrutimit.

Mediat kishin raportuar se kryesuesi i KQZ-së, Radoniqi nuk kishte përfilluar rekomandimet e Ambasadës Britanike. Britanikët e kishin monitoruar procesin e intervistimit dhe sipas tyre asnjë kandidat nuk i kishte plotësuar kushtet për emërimin në këtë pozitë.

Sipas britanikëve, asnjë kandidatë nuk ka arritur 70% ose më shumë të vlerësimit e që mund të konsiderohet se mund të emërohet (sipas poentimit të Partnerit Zbatues).

“Kandidatët që kanë arritur 70% ose më shumë konsierohet që mund të emërohen”, thuhet në njoftimin e partnerit zbatues të angazhuar nga britanikët për mbikëqyrjen e këtij konkursi.

Shpërndaje