Raporti i fundit i Bankës Botërore paraqet një tablo shqetësuese, duke nëvizuar se rezultatet e kapitalit njerëzor të Kosovës mbeten prapa. Për më tepër, raporti thekson një tkurrje të popullsisë në moshë pune në vitin 2022, që, sipas raportit, ka të ngjarë t’i atribuohet migrimit të jashtëm.
“Vetëm 39 për qind e popullsisë në moshë pune ishte aktive në tregun e punës (22 për qind për gratë) gjatë vitit 2022. Popullsia në moshë pune u tkurr në vitin 2022, me gjasë për shkak të migrimit të jashtëm”, nënvizon raporti.
- Burimi: Banka Botërore, “Çlirimi i fuqisë së sektorit privat”.
Në raport më tej theksohet se një rritja e mëtejshme e migrimit të jashtëm do të paraqiste rreziqe serioze. “Një rritje e mëtejshme e migrimit të jashtëm mund të ndikojë negativisht në ofertën dhe koston e punës”, thuhet në raport.
2. Burimi: Banka Botërore, “Çlirimi i fuqisë së sektorit privat”.
Krahas Bankës Botërore, raporti i GAP-it, i mbështetur në të dhënat e Entit Federal të Statistikave të Gjermanisë nga viti 2010 deri në vitin 2022, ofron pasqyra alarmante për eksodin e qytetarëve nga Kosova. Raporti përshkruan një pamje të zymtë të rritjes së numrit të individëve me prejardhje migrimi nga Kosova që banojnë në Gjermani dhe arsyet themelore për largimin e tyre.
Sipas raportit të GAP, numri i qytetarëve me origjinë nga Kosova që jetojnë në Gjermani u rrit nga 291 mijë në vitin 2010 në 542 mijë në vetëm 12 vjet, që paraqet një rritje prej 86 për qind. Më shqetësues është zbulimi se një pjesë e konsiderueshme e këtyre migrantëve kanë lindur në Kosovë, duke treguar një trend të emigrimit që është intensifikuar vitet e fundit.
“Nga 542 mijë persona me sfond migrimi nga Kosova, 330 mijë prej tyre kanë lindur në Kosovë. Që nga viti 2010, ky numër është rritur nga 189 mijë në 330 mijë. Rritja më e lartë vërehet nga viti 2021 deri në vitin 2022, me 44 mijë (15%) mijë persona më shumë. Sipas ndarjes gjinore, të dhënat tregojnë se nga 330 mijë persona, 177 mijë (54%) janë burra, ndërsa 153 mijë (46%) janë gra”, thuhet në gjetjet e GAP.
Sipas një raporti të titulluar “Migrimi dhe zhvillimi ekonomik në vendet e ballkanit perëndimor: Dëshmi nga Kosova”, Kosova vazhdon të jetë në trend rritës të emigrimit për shkak se tregu i punës nuk është në gjendje të absorbojë numrin e lartë të punëkërkuesve.
Në këtë kontekst, raporti “Çlirimi i fuqisë së sektorit privat” i Bankës Botërore ka sugjeruar nevojën e disa ndërhyrjeve politike për të nxitur krijimin e vendeve të punës dhe rritjen e produktivitetit të sektorit privat.
“Për të përshpejtuar reduktimin e varfërisë, Kosova duhet të forcojë nxitësit e krijimit të vendeve të punës dhe të rrisë produktivitetin e sektorit privat. Për të lehtësuar këtë tranzicion dhe për të nxitur rritjen, është thelbësore të përmirësohet mjedisi rregullator, të zvogëlohen boshllëqet e infrastrukturës dhe të forcohet kapitali njerëzor”, sugjeron raporti i Bankës Botërore. /Nacionale/