Raporti – i bazuar në të dhënat nga Zyra Federale e Statistikave të Gjermanisë për periudhën nga viti 2010 deri në vitin 2022 – ofron një “panoramë të frikshme” mbi rritjen e numrit të qytetarëve me sfond migrimi nga Kosova që jetojnë në Gjermani dhe arsyet e tyre të emigrimit.
Raporti thekson se numri i qytetarëve me origjinë nga Kosova në Gjermani është pothuajse dyfishuar në periudhën 2010-2022.
291 mijë ishte numri i qytetarëve me origjinë nga Kosova që jetojnë në Gjermani në vitin 2010. Vetëm 12 vite më pas, kjo shifër ka arritur në 542 mijë. Kjo përbën një rritje të theksuar prej 86 për qind gjatë pak më shumë se një dekade.
Përsa i përket ndarjes gjinore, të dhënat e raportit tregojnë se burrat janë në numër më të madh krahasuar me gratë. Nga 542 mijë persona, 289 mijë (53 për qind) janë burra, ndërsa 254 mijë (47 për qind) janë gra.
Raporti thekson se më shumë se shumica e tyre kanë lindur në Kosovë. Ky trend ka qenë në rritje nga viti 2010, por është theksuar edhe më shumë nga viti 2021 deri në vitin 2022.
Në lidhje me grup-moshën, në raport theksohet se të dhënat e vitit 2022 tregojnë se shumica e emigrantëve nga Kosova i përkasin grup-moshës 25 deri në 45 vjeç. Një pjesë e mirë e tyre janë edhe nën moshën 15 vjeç.
Për sa i përket nivelit të edukimit, raporti tregon se 281 mijë persona nga emigrantët nga Kosova kanë diplomë të shkollës së mesme, ndërsa 87 mijë nuk kanë arritur këtë nivel të arsimimit.
Arsyet e emigrimit ndryshojnë në mes të burrave dhe grave. Për burrat, punësimi është arsyeja kryesore e emigrimit, ndërsa gratë kryesisht emigruan për arsye të bashkimit familjar, thuhet në të dhënat e përpunuara nga GAP.
Në vitin 2022, 55 mijë burra deklaruan se punësimi ishte arsyeja kryesore e emigrimit të tyre, ndërsa 68 mijë gra emigruan për bashkim familjar, sipas raportit.
Krahasime me vendet e rajonit
Sipas një raporti të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik të titulluar “Migrimi i fuqisë punëtore në Ballkanin Perëndimor: Hartimi i modeleve, adresimi i sfidave dhe mbledhja e përfitimeve”, krahasuar me vende të tjera të Ballkanit Perëndimor si Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, migrantët nga Kosova dhe Shqipëria kanë arsim më të ulët.
Sipas raportit të OCED-it, Shqipëria ka shkallën më të lartë të emigrimit me 28%, e ndjekur nga Kosova (22%), Bosnja dhe Hercegovina (20%) dhe Maqedonia e Veriut (18%), raporton Nacionale.
Shkalla e emigrimit nga Serbia dhe Mali i Zi janë pak më të ulëta, por ende të konsiderueshme, përkatësisht 10% dhe 9%.