Home Lajme Miftaraj për problematikat e nenit 7 të marrëveshjes: Ndërlidhja e vetëmenaxhimit me asociacionin e statusi i kishës ortodokse

Miftaraj për problematikat e nenit 7 të marrëveshjes: Ndërlidhja e vetëmenaxhimit me asociacionin e statusi i kishës ortodokse

0
Miftaraj për problematikat e nenit 7 të marrëveshjes: Ndërlidhja e vetëmenaxhimit me asociacionin e statusi i kishës ortodokse

Të hënën e 27 shkurtit, Kosova dhe Serbia u pajtuan për planin evropian, i cili nuk u nënshkrua, ani pse kryeministri Kurti tha se ishte i gatshëm ta bënte atë, por që nuk e bëri dhe pala serbe.

E, si problematik po shihet neni 7 i planit evropian, i cili u publikua nga Bashkimi Evropian.

“Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës.

Palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”, thuhet në këtë nen.

Lidhur me këtë, për Gazeta Blic ka folur drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj.

Ai thotë se ky nen flet për angazhimin e të dyja palëve për vetëqeverisjen lokale të komunitetit serb në Kosovë dhe formalizimit të statusit të kishës ortodokse serbe në Kosovë.

“Neni 7 i marrëveshjes së dakorduar në parim në Bruksel përcakton përkushtimin e dy palëve në rastin konkret Kosovës dhe Serbisë për t’u angazhuar së bashku lidhur me çështje të brendshme të Republikës së Kosovës në fusha që lidhen me vetëqeverisjen lokale të komunitetit serb në Kosovë dhe formalizimit të statusit të kishës ortodokse serbe në Kosovë. Përderisa, pjesa e parë e këtij neni flet për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetë menaxhimit të komunitetit serb në Kosovë në pajtim me instrumentet e Këshillit të Evropës përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare të Serbisë për serbët lokal në Kosovë dhe ndërtimit të një kanali të drejtpërdrejtë të komunikimit të këtij komuniteti me qeverinë e Kosovës”, thekson Miftaraj.

Sipas tij, gjuha e përdorur në këtë nen është karakteristikë dhe është vështirë të kuptohet nëse vetë menaxhimi ndërlidhet me kompetencat aktuale që i kanë komunat me shumicë serbe në Kosovë apo ndërlidhet me asociacionin.

“Karakteristikë e këtij neni është gjuha e përdorur dykuptimëshe, dhe është vështirë të kuptohet nëse vetë menaxhimi ndërlidhet me kompetencat aktuale që i kanë komunat me shumicë serbe në Kosovë apo ndërlidhet me asociacionin. Nëse neni 7 dhe neni 10 lexohen si të ndara që rregullojnë dy fusha të ndryshme, atëherë kjo pjesë e nenit 7 do të duhej të nënkuptonte garancionet që mund t’i ofrojë Republika e Kosovës për të ruajtur dhe siguruar të drejtat të cilat veç se i gëzojnë komunat me shumicë serbe si entitet dhe për të siguruar që këto të drejta të zbatohen në praktikë përmes një komunikimi më të drejtpërdrejtë me qeverinë e Republikës së Kosovës. Do të thotë ky nen nuk duhet të lexohet ose nënkuptohet që lidhet me asociacionin e komunave me shumicë serbe, i cili obligim rrjedh nga neni 10 i marrëveshjes së bashku edhe me 32 marrëveshjet e tjera të cilat janë obligim për t’u zbatuar nga Kosova dhe Serbia”, vlerëson Ehat Miftaraj për Gazeta Blic.

Ndërsa, ai shpjegon se pjesa e dytë e këtij neni lidhet me qasje të re dhe obligimet shtesë që duhet të marrin serbët nga Kosova që lidhet me statusin e kishës serbe.

Ai përmend dhe rastin e kishës serbe në Malin e Zi por thotë se për dallim nga atje, në Kosovë janë vetëm 4 për qind ortodoksë dhe se Kosova është e obliguar të trajtojë në mënyrë të barabartë të gjitha besimet fetare në Kosovë.

“Përderisa, pjesa e dytë e nenit 7 ndërlidhet më një qasje të re dhe marrje e obligimeve shtesë nga Republika e Kosovës lidhur me statusin e kishës ortodokse serbe dhe një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe në Kosovë. Nëse merret si referencë rasti i fundit në Mal të Zi, ku Kryeministri Abazoviq dhe qeveria e tij ofruan statusin special të kishës ortodokse në Mal të Zi, ky status u përfshi në dy rrafshe në atë të ofrimit të ekstraterritorialitetit për kishën serbe dhe statusin ligjor të kishës në raste të caktuara njëjtë me institucione kushtetuese. Dallimi në mes Kosovës dhe Malit të Zi është i madh, pasi në Mal të Zi, popullata serbe është afërsisht 30%, kurse në Kosovë as 4%, dhe faktit tjetër se në Kosovë, sipas Kushtetutës dhe Ligjit, Kosova është e obliguar të trajtojë në mënyrë të barabartë të gjitha besimet fetare në Kosovë, dhe trajtimi special i kishës ortodokse mund të ketë ndikim negativ tek komuniteti mysliman, katolik, protestant, etj”, deklaron Miftaraj.

Exit mobile version