Juristi dhe drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka komentuar paralajmërimin e kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Mitrovicës, Faton Peci, për kallëzim penal ndaj disa gazetarëve dhe opinionistëve.
Miftaraj e ka cilësuar këtë veprim si të gabuar dhe pa bazë ligjore, duke theksuar se Peci “është dashur të konsultohej me juristë përpara se ta bënte një paralajmërim të tillë”.
“Për keqardhje, se po besoj do të duhej të konsultohej me jurist së pari para se me lajmëru një kallëzim penal. Fatkeqësisht neni 210 dhe 216 i Kodit Penal të Kosovës nuk përfshijnë situata të tilla, sepse është e pamundur që këto vepra të kryhen në një studio televizive pa përdorim force apo kanosjeje serioze,” ka deklaruar Miftaraj.
Ai ka sqaruar se neni 210 i Kodit Penal përcakton që vepra të tilla ndodhin vetëm “përmes forcës ose kërcënimit serioz”, e jo “përmes shprehjes së lirë në media”.
Ndërsa për nenin 216, Miftaraj ka thënë se ai zbatohet vetëm për persona zyrtarë të përfshirë në procesin e numërimit apo manipulimit të votave.
“Kjo është edhe më skandaloze, sepse kjo vepër kryhet kryesisht nga persona që janë në KQZ, jo nga gazetarët. Nëse Peci e ngrit këtë kallëzim penal, atëherë Prokuroria duhet të kërkojë fakte konkrete, përndryshe ai vet mund të përballet me kallëzim për deklarim të rremë,” ka shtuar juristi.
Sipas tij, ky veprim i Pecit duket më shumë si “strategji politike për të krijuar ndjesinë e viktimizimit publik”, sesa një proces i bazuar në ligj.