Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Gjykata Themelore që ta detyrojë kryeministrin Albin Kurti të dëshmojë për rastin e rezervave shtetërore, pasi ai ka refuzuar tri herë thirrjet e Prokurorisë.
Për këtë, juristi Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi vlerëson se Kurti duhet t’i përgjigjet ftesës dhe të japë dëshminë e tij, për të mos penguar hetimin.
“Në një shtet si Kosova, ku akterët kryesorë që kanë marrë mandat nga qytetarët cenojnë sundimin e ligjit, tregon sa pak ekspertizë kanë këta zyrtarë për shtetin dhe institucionet e pavarura”, ka thënë ai në RTV Dukagjini.
Miftaraj ka theksuar se Kodi i Procedurës Penale parashikon masa ndaj dëshmitarëve që refuzojnë të paraqiten, përfshirë gjoba dhe deri në 30 ditë burgim, varësisht nga rrethanat e rastit.
“Kodi i procedurës penale ka paraparë që në raste kur dëshmitarët nuk pranojnë ose hezitojnë apo i shmangen prokurorit të shtetit për të dhënë dëshmi, për informata që kanë të bëjnë më një rast penal, është paraparë që prokurori i shtetit po gjyqtari i procedurës të shqiptojë gjoba apo edhe të marra masa që mund të ndikojnë që personi që nuk përgjigjet pozitivisht t’i caktohet deri në 30 ditë burgim, varësisht prej nevojës apo asaj çfarë kërkohet nga dëshmitari. Kështu që prokurori i shtetit është në të drejtën e tij, po zbaton obligimet që ia ka dhënë me ligj kodi i procedurës penale. Kjo nuk duhej të vinte as në shprehje në një shtet normal dhe ligjor”, ka deklaruar Miftaraj.
Ndërkohë, avokati Mahmut Halimi ka deklaruar se dispozitat ligjore krijojnë paqartësi nëse Prokuroria mund ta detyrojë Kurtin të dëshmojë në zyrat e saj apo nëse ai mund të japë dëshminë jashtë këtyre ambienteve.
“Kodi qartëson se çdo person i thirrur si dëshmitar detyrohet të paraqitet, por neni 229 parashikon mundësinë e dëshmisë jashtë gjykatës, duke lënë një zbrazëti ligjore për Prokurorinë,” ka deklaruar Halimi.
Ai ka shtuar se interpretimi i ligjeve nuk mund të bëhet me analogji dhe se vetëm Kuvendi i Kosovës mund të bëjë ndryshime apo plotësime ligjore për të sqaruar këto çështje.
Ky nuk është rasti i parë dhe, sipas tij, nuk do të jetë as i fundit ku lindin dilema për mënyrën e thirrjes dhe detyrimit të dëshmitarëve në raste penale.