Zv.kryeministri i parë, Izet Mexhiti, i është përgjigjur akuzave të LSDM-së dhe BDI-së lidhur me rastin e ish ushtarit të UÇK-së Blerim Ramadani, pas arratisjes së tij në Kosovë.
Në një pronocim për gazetën LAJM, Mexhiti, tha se gjatë qeverisjes së LSDM-së dhe BDI-së, janë arratisur kriminel që kanë vjedhur miliarda, duke përmendur edhe rastin arratisjes së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.
“Është punë teknike, e njëjta ka ndodhur edhe në të kaluarën me rastet tjera. Ka ndodhur, bile kanë ndihmuar edhe njerëz që kanë vjedhur miliarda në Maqedoni si në çështjen e Gruevskit dhe të tjerëve, prandaj e kanë në mendjen e tyre, i dinë mirë këto procese të ikjes dhe mirën me këto. Ajo që është esenciale, ajo që është tejet e rëndësishme, është që këto i përmbahen parimit, natën vrasin ditën të qajnë. Pra, prokurorët dhe gjykatësit e Ali Ahmetit në vazhdimësi kanë punuar që ushtari i UÇK-së, në këtë rast Blerim Ramadani, t’i dërgohet Daçiqit në Serbi që këta këtu të kenë pretekst për protesta dhe destabilizim të situatës. Pra, këta nuk e kanë dertin e ushtarit të UÇK-së, këta e kanë dertin e pretekstit e kauzës për ta destabilizuar situatën, për ta shpëtuar lëkurën e vet nga proceset që i presin për shkak të korrupsionit të madh që kanë bërë viteve të kaluara. Këta kanë shkruar në ekstrem, nuk di çka kanë dashur. Sikur kanë dashur të ekstradohet ushtari në Serbi duke i fërkuar duart që të ketë arsye për protesta. Pra, edhe një herë e potencoj, prokurorët dhe gjykatësit e Ali Ahmetit në vazhdimësi kanë punuar kundër ushtarit të UÇK-së. Nuk mund të shihet ndryshe, kur e dimë që gjykata supreme ka 4-5 gjykatës të BDI-së, të afërt, dhe të njejtit për rastet tjera kanë sjellë vendim që nuk ka bazë dhe duhet të lirohen ndërsa tash gjykata supreme e rikthen rastin në rishqyrtim, ku shumica e gjykatësve aty janë shqiptarë dhe kryesisht të afërt me Bashkimin Demokratik”, tha Mexhiti.