Në tabelë ka mbetur ajo që mësuesi i gjermanishtes u mësoi, por jo saktë. Kjo, për shkak se as vetë arsimtari, Zenë Qeriqi, nuk e di si shkruhen stinët në gjuhën gjermane.
Për ironi të fatit, në shkollën e Krojmirit të Lipjanit, nxënësve të klasës së gjashtë, mësuesi i historisë është caktuar të japë edhe lëndën e gjuhës gjermane, pa qenë i kualifikuar.
Në shkollën “Katër Dëshmorët” në Krojmir të Lipjanit, mësuesi Zenë Qeriqi është kthyer në një lloj “supermeni” arsimor.
Prej muajsh, ai ligjëron jo një, por katër lëndë të ndryshme: Historinë, Gjeografinë, Edukatën Qytetare dhe Gjuhën Gjermane.
Nxënësit të cilëve u mëson ankohen se arsimtari nuk është i përgatitur mirë në asnjë prej këtyre lëndëve.
Ata thonë se, sidomos në lëndën e gjermanishtes, nuk kanë arritur të mësojnë asgjë deri tani, pasi arsimtari i tyre nuk arrin ta dallojë anglishten nga gjermanishtja.
E përveç stinëve të vitit, që edhe në tabelë i shkroi gabim, të vegjlit thonë se nuk morën njohuri të tjera.
Edhe pse kanë kaluar mbi dy muaj nga fillimi i vitit shkollor, ata thonë se, në vend që të përparojnë në lëndën e gjermanishtes, po ngatërrohen gjithnjë e më shumë.
Të pyetur për lëndët e tjera, të cilat Qeriqi mendon se i përvetëson mirë, të njëjtit pohojnë se edhe në ato arsimtari nuk merr mundin të shpjegojë, por vetëm i shtyn të lexojnë.
Të pyetur se çfarë kanë mësuar deri tani në gjuhën gjermane, nxënësit shprehen se vetëm 5 fjali dhe asgjë tjetër.
Ani pse ka një barrë të madhe mbi supe dhe është përgjegjës për katër lëndë, Qeriqi gjen hapësirë edhe të mungojë me ditë në shkollë.
E përveç që nuk po u mëson asgjë, ai herë pas here edhe përdor dhunë fizike.
Dhe dhuna fizike nuk është e vetmja – ai ushtron vazhdimisht edhe dhunë psikike, duke i kërcënuar se do t’i përsërisë.
Arsimtari Zenë Qeriqi është i kualifikuar vetëm për lëndën e Historisë, ndërsa lëndën e gjuhës gjermane, në bazë të informacioneve, e ka mësuar pak, sa ka jetuar më herët në Gjermani. /Klankosova.tv