Lionel Messi ka riafirmuar edhe një herë lidhjen e fortë me Barcelonën, ndërsa pranoi çmimin e revistës SPORT për Lojtarin më të Mirë të Barcelonës të shekullit të 21-të.
Legjenda argjentinase ka thënë se donte ta përfundonte karrierën te Barcelona pa pasur nevojë për të shkuar në një tjetër klub.
“Doja ta përfundoja të gjithë karrierën time te Barcelona pa pasur nevojë të shkoja në një klub tjetër. Fatkeqësisht, gjërat dolën ndryshe, por jam shumë mirënjohës për këtë çmim”, tha legjenda argjentinase gjatë pranimit të çmimit.
“Kaluam kaq shumë gjëra së bashku, të mirat dhe jo aq të mirat dhe kjo është e natyrshme sepse gjatë një karriere të gjatë jo gjithçka është e bukur. Barcelona është shtëpia ime, vendi im dhe familja ime”.
Pavarësisht largimit të tij në vitin 2021 në rrethana të vështira, Messi bëri të qartë se lidhja mes tij dhe klubit katalunas mbetet e pathyeshme.
Në një intervistë për gazetën katalunase SPORT, ai foli me emocion për vizitën e tij të fundit surprizë në Camp Nou dhe për kujtimet e shumta të bukura që lidhen me klubin.
“Ka kaluar shumë kohë që kur kam qenë në Barcelonë, në stadium. Më është dashur të tërhiqem nga klubi pa tifozë për shkak të pandemisë, kështu që ishte edhe një vit i pazakontë”, tha Messi, duke shtuar: “Shumë kujtime të bukura, faleminderit të gjithë njerëzve të Barcelonës. Kam një dashuri shumë të veçantë për të gjithë”.

Messi gjithashtu theksoi se distanca nuk ia ka dobësuar ndjenjat për Barcelonën.
“Sigurisht, do të kthehem. Do të jem në stadium si çdo tifoz tjetër, duke ndjekur ekipin dhe duke qenë thjesht një tjetër mbështetës. Për momentin ndoshta do të jem këtu edhe për disa vite, por do të kthehemi në Barcelonë sepse, siç e kam thënë gjithmonë, është vendi im, shtëpia ime. Na mungon shumë, kështu që do të kthehemi”, përfundoi Messi.






